Shtimi i fondeve në dispozicion, si nga skema kombëtare ashtu edhe nga Bashkimi Europian po josh fermerët që të formalizohen. Vitin e shkuar u pajisën me NIPT 21 mijë e 447 fermerë të tjerë për ta çuar në mbi 84 mijë numrin total të të formalizuarve. Megjithatë, numri i fermave bujqësore të formalizuara vijon të mbetet tejet i ulët në raport me totalin.
Rikthimi i detyruar i vëmendjes te bujqësia, veçanërisht pas krizës së çmimeve, po tërheq fermerët drejt formalizimit. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vitin e shkuar u pajisën me NIPT 21 mijë e 447 fermerë të tjerë për ta çuar në mbi 84 mijë numrin e “të ligjshmëve”.
“Trendi është në rritje për disa arsye. E para është që fermerët po e kuptojnë se pa grante, pa subvencione, pa kredi të buta dhe pa mbështetjen e donatorëve ata nuk mund të ecin përpara dhe të jenë konkurrues. Së dyti vjen nga shtimi i fondeve në huaja. Kemi fondet e IPARD që janë rritur me 54 për qind”, tha Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.
Megjithatë, numri i fermave bujqësore të formalizuara vijon të mbetet tejet i ulët në raport me totalin. Referuar të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vend ka rreth 355 mijë ferma bujqësore, nga të cilat më pak se 24 për qind të formalizuara.
“Ka ardhur koha që qeveria të rrisë fondet në dispozicion. Ajo që jep tani nuk mjafton dhe kjo nuk ndihmon te inkurajimi i formalizimit të fermave bujqësore”, shtoi ai.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, bujqësia është edhe sektori me shkallën më të lartë të informalitetit në drejtim të punësimit me gati 60 për qind.