Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha detaje në lidhje me mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së tij dhe asaj të Shqipërisë, e cila do mbahet nesër në Gjakovë. Ai tha se në këtë mbledhje të nëntë, nga 41 marrëveshje që janë nënshkruar në dy takimet e fundit, 39 prej tyre janë zbatuar dhe dy të tjera janë në fazën finale.
Gjatë konferencës për mediat, ku prezantoi një plan me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, Kurti theksoi se nesër priten të nënshkruhen edhe 13 marrëveshje të reja me Shqipërinë kryesisht në fushat e arsimit, sigurisë, bujqësisë, por edhe sektorët të tjerë.
Ai tha se pritet të ketë një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin në fushën e sigurisë mes dy shteteve.
“Nesër po mbajmë mbledhjen e nëntë të përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë. Kemi 41 marrëveshje në dy mbledhjet e fundit, prej të cilëve 39 të zbatuara plotësisht dhe dy të tjera në fazën finale e zbatimit dhe do t’i shtojmë edhe 13 të reja në fushën drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës dhe mbrojtjes, dhe do kemi një deklaratë e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë”, tha ai.
Po ashtu ai tha se veçanti e kësaj mbledhjeje është edhe takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dy anët, ku do të diskutohet që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësit në përfitim për qytetarët.
Sipas tij, lëvizjes së qytetarëve në zonat ndërkufitare i kanë dhënë rëndësi të duhur dhe është rritur në 26 numri i vendkalimeve të veçanta kufitare.