Vetëm në katër muajt e parë të vitit në vendin tonë u futën 1.700 mijë turistë të huaj dhe ky numër do të rritet edhe më tej falë rezervimeve tashmë të mbyllura për sezonin veror, qoftë për vizitorët e organizuar, ashtu edhe për ata që vijnë në mënyrë individuale.

UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

“Flasim për rezervime individuale, por edhe për operimin me kontrata garancie që i kanë të kontraktuar tashmë. Nëse flasim për këtë të dytën. Të gjitha dhomat janë të shitura, partnerët kanë rezervuar dhomat në hotelet e Shqipërisë dhe janë pothuajse të gjitha të shitura. Në të gjithë vendin mund të jenë diku te 10 mijë vende, që janë gati të mbyllura, 100% të shitura. Përsa u përket hyrjeve individuale, nga informacionet që kemi nga hotelet, ka një kërkesë të rritur sesa vjet në këtë kohë, kërkesa është 10-15% më e lartë. Bëhet fjalë për rezervime indivduale që bëhen ose përmes faqes së hotelit, numrit të telefonit, booking, etj..”

Harta e vendeve nga vijnë turistët e huaj është zgjeruar, ndërkohë që zonat më të preferuara prej tyre për të pushuar në vendin tonë mbeten Durrësi dhe jugu.

UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

“Kemi këtë vit tregun spanjoll dhe portugez, edhe tregun baltik, edhe tregun hungarez, që janë tregjet të reja që i janë shtuar këtë vit turizmit të organizuar. Franca ka një rritje të turistëve, turistët serbë po ashtu kanë ardhur në rritje, turistët boshnjakë. Sa i përket turizmit individual, ka edhe turistë nga Amerika.”

Por veç vizitorëve të huaj që vijnë në vendin tonë, ka edhe shqiptarë që dalin jashtë Shqipërisë për të pushuar dhe arsyeja kryesore mbeten paketat më të lira turistike.

UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

“Numrin më të madh e mban Turqia, që ka edhe kapacitete akomoduese, ka edhe turizëm të organizuar. Një numër të madh e merr edhe Greqia, për shkak të distancës së afërt me Shqipërinë dhe për shkak të kostos më të lirë. Vjen si pasojë e dëshirës së qytetarëve për të udhëtuar jashtë vendit, shqiptarët janë kuriozë, por edhe pse jo, duhet tat hemi që janë edhe më të lira. Vende të veçanta të Malit të Zi, Turqisë, Greqisë ofrojnë paketa më të lira dhe kjo është ndoshta një nga arsyet pse ikin.”

INSTAT raporton se në marsin e këtij viti, bashkë me numrin e turistëve u rrit edhe numri i netëqëndrimeve me 36% krahasuar me marsin e vitit të shkuar. Por sipas Rrahman Kasës, kjo shifër mund të regjistrojë rënie në muajt e verës sepse turistët, veçanërisht shqiptarët, po kërkojnë paketa me më pak netë qëndrimi, prej mundësive ekonomike.