Moneyval, mekanizmi i Këshillit të Europës që bën vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave, i ka dhënë notë pozitive Shqipërisë për masat që ka marrë në përmbushjen e angazhimeve në këtë drejtim.
Në raportin e publikuar nga Këshilli i Europës evidentohet përmbushja e dy rekomandimeve kryesore, 25 dhe 28 të dhëna nga Task Forca e Veprimit Financiar e Moneyval, që lidhen me transparencën dhe pronësisë përfituese si dhe me mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare.
“Që prej qershorit 2022, Shqipëria ka marrë masa shtesë, duke adresuar mangësitë e rëndësishme në lidhje me administratorët e deleguar që i nënshtroheshin kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe aksesin e thjeshtuar në informacionin e pronësisë përfituese për autoritetet kompetente. Për më tepër, Shqipëria ka përmirësuar masat për rregullimin dhe mbikëqyrjen e noterëve dhe agjentëve të pasurive të paluajtshme” shkruhet në raportin e Moneyval që vlerëson progresin e Shqipërisë.
Në këtë kontekst, me përmbushjen e këtyre dy rekomandimeve, sipas Moneyval ,Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e shumicës së mangësive të përputhshmërisë teknike të identifikuara në Raportin e saj të Vlerësimit të Ndërsjelltë të vitit 2018.
“Nga 40 rekomandimet, Shqipëria ka aktualisht:
-6 rekomandime të vlerësuara në përputhje
-31 Rekomandime të vlerësuara Kryesisht të Përputhshme
-2 rekomandime të vlerësuara pjesërisht të pajtueshme dhe 1 të pazbatueshme” shkruhet në raportin e Moneyval, të publikuar nga Këshilli i Europës, raporton SCAN.
Shqipëria pritet të raportojë pas 2 vitesh në MONEYVAL për progresin e mëtejshëm të bërë drejt forcimit të sistemit të saj të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në vitin 2018, Shqipëria, sëbashku me disa vende të tjera të Europës u përfshi në listën e vendeve me monitorim të shtuar.
Vendeve të përfshira në listë iu dhanë disa rekomandime për t’u përmbushur dhe pothuajse çdo vit janë publikuar raporte të ecurisë së përmbushjes së këtyre rekomandimeve. Në bazë të këtyre raporteve, të publikuara në vitet 2019, 2021 dhe 2022, janë dhënë edhe rivlerësimet përkatëse për secilin rekomandim ku është konstatuar progres.
Në këtë rast, sikurse evidenton raporti i Moneyval, brenda 3 vitesh “Shqipëria ka arritur pritshmëritë duke adresuar shumicën e mangësive”. Rezultatet e këtij raporti, sinjalizojnë mundësinë që Shqipëria, në vlerësimin e radhës, të dalë nga lista e vendeve me monitorim të shtuar, pasi ka arritur pritshmëritë e institucioneve europiane.