Tirana po bëhet gati për të përjetuar netë të paharrueshme. Dy emra të muzikës me famë botërore, Enrique Iglezias dhe Ricky Martin do të performojnë për herë të parë para publikut shqiptar, në sheshin ‘Skëndërbej’. Mbrëmjen e 30 qershorit, këngëtari Enrique Iglesias do të hapë edhe Javën Kulturore Spanjolle, që nis të premten në kryeqytet.
Të interesuarit për të ndjekur koncertin Enrique Iglesias, i njohur për hitet e tij në krye të listave “Bailamos”, “Hero”, “Escape”, “Tonight (I’m Lovin’ You)” spo “Subeme La Radio” dhe performancat elektrizuese që me siguri do të krijojë një mbrëmje të paharrueshme të mbushur me emocione, duhet të pajisen me bileta.
Ato janë në 8 lloje të ndryshme dhe çmimet e tyre variojnë nga 28 euro më e lira, deri në 225 euro për zonën B, VIP GOLD dhe deri në 330 euro për zonën A, VIP GOLD. Biletat kanë të përfshira edhe disa benefite si pozicionimi pranë skenës ku edhe do të performojë Iglezias. Konkretisht për paketë VIP GOLD, me çmim 900 euro, përfshihen 4 bileta, tavolinë dhe një shishe alkooli. Ndërsa me atë 2 mijë euro, përfitojnë hyrje 6 persona, një kolltuk për tu ulur, si dhe 2 shishe pije alkoolike.
Gjithashtu për çdo blerje për zonat VIP, GOLD dhe PLATINUM, do të përfitohet edhe një ulje prej 20%, për koncertin e Ricky Martin që do të zhvillohet më datën 20 korrik. 20 % ulje do të ketë edhe për ata blerës të biletave të zonave BRONZE dhe SILVER për koncertin Placido Domingo që do të mbahet në Tiranë, më 7 shtator.
Koncerti do të nisë në orën 21:30 dhe çdo person nën 18 vjeç do të duhet që të jetë i shoqëruar. Në event nuk do të lejohen as pijet, apo ushqimet pasi ato do të shiten aty. Gjithashtu do të ndalohet edhe çdo mjet i rrezikshëm, si dhe kamerat apo aparatet fotografike, pasi autorësia për shpërndarjen e videove i përket vetëm organizatorëve.