Kryeministri Edi Rama shpreson që tri kërkesat e vendosura në tavolinë nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, për zgjidhjen e konfliktit në veri të Kosovës, të plotësohen sa më shpejt. Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit, thotë se më plotësimin e 3 kërkesave do të përfundojë ky konflikt absurd para se të dëmtohet reputacioni i Kosovës.
Rama falënderoi po ashtu edhe presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, për atë që po bëjnë për të finalizuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kjo për kryeministrin Edi Rama tregon gjithçka për shpirtin e tyre të madh evropian.
‘Një falënderim të madh për Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz për atë që po bëjnë për të finalizuar procesin e normalizimit Kosovë-Serbi! Duke i parë ata të ulur me aq respekt me të dyja palët në përpjekje për të zgjidhur një konflikt absurd tregon gjithçka për shpirtin e tyre të madh evropian. Faleminderit!.
Përgëzoj edhe presidenten Vjosa Osmani për të folur drejtpërdrejt me presidentin serb Vuçiç, dhe me të vërtetë shpresoj që këto tri kërkesa të plotësohen menjëherë në mënyrë që ky konflikt absurd të përfundojë para se të dëmtojë reputacionin e Kosovës përtej riparimit të shpejtë dhe integrimin e saj të mëtejshëm në komunitetin demokratik. Një falenderim i madh edhe për Josep Borrell për pasionin dhe durimin e tij për të ndihmuar që ky zbulim historik të realizohet më në fund.’- shkruan Rama.
Tensionet në veri të Kosovës dhe gjetja e një zgjidhje për të mos përshkallëzuar më tej konfliktin, ishin në qendër të diskutimeve një ditë më parë në takimin e dytë të komunitetit Politik Europian në Moldavi. Franca dhe Gjermania kërkuan që të zhvillohen zgjedhje në 4 komunat në veri! Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri.
Janë tri kërkesa që BE-ja nxori për Kosovën: Zgjedhje të reja tani! Të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to! Të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe