Nga Mero Baze/

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama anuloi sot udhëtimin me ekipin e tij të qeverisë për në Gjakovë, ku pritej të mbahej mbledhja e përbashkët e dy qeverive, pas hezitimeve të Albin Kurtit për të konfirmuar një qëndrim të përbashkët me Shqipërinë dhe për të shmangur një debat real me kryeministrin Edi Rama rreth përpjekjeve të Shqipërisë për t’i dhënë konfliktit në Veri të Kosovës një zgjidhje në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, Bashkimin Evropian dhe SHBA.

Vendimi i Edi Ramës pason dy javë të vështira në raportet mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti, për shkak të qasjes së ndryshme që ka Shqipëria dhe kryeministri Kurti për zgjidhjen e konfliktit. Shqipëria është në një gjatësi vale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe ka propozuar po ashtu një draft për statusin e shoqatës së komunave me shumicë serbe në Veri, ndërsa Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq e kanë refuzuar atë.

Përkundër propagandës së Albin Kurtit dhe trushpëlarve, e vërteta në dritë të diellit është se në këtë konflikt, aleati më i mirë i Aleksandër Vuçiq është Albin Kurti, kurse Shqipëria është në një linjë me SHBA dhe Bashkimin Evropian, siç e ka detyrë të jetë. Shqipëria nuk e mbron dot Kosovën pa ndihmën e Perëndimit dhe akoma më keq, nuk ka pse e mbron Albin Kurtin në rrugën e marrëzisë kundër Perëndimit.

Përtej etikës së përdorur nga Edi Rama në konferencën për shtyp, mbledhja e përbashkët e dy qeverive duhej të anulohej. I vetmi takim që ka kuptim është takimi mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit për të provuar nëse mund të bien dakord për rolin e Shqipërisë në këtë konflikt. Nëse Albin Kurti nuk e duron dot në një takim vetëm për vetëm Edi Ramën, nuk ka pse krekoset në një mbledhje formale me një qeveri që e konsideron armike.

Ashtu si pesë vendet e Quint-it refuzuan pjesëmarrjen në festimet zyrtare të Kosovës për këtë shkak, edhe Shqipëria nuk duhet të ketë komplekse t’i tregojë qeverisë së Kosovës se ajo e shikon sigurinë kombëtare të shqiptarëve në gjithë rajonin, vetëm si pjesë e një aleance të gjerë me Perëndimin.

Prej vitit 1992 Shqipëria e ka në dokumentin e saj themelor të strategjisë së sigurisë kombëtare se kombi shqiptar e mbështet sigurinë e tij në aleancën me NATO dhe në të qenit një vend demokratik.

Nisur nga ky përcaktim, Shqipëria e ka për detyrë t’i diktojë Kosovës kursin pro-perëndimor, si e vetmja rrugë për ekzistencën e saj dhe zhvillimin si një shtet i qytetareve të lirë. E ashtuquajtura Republikë Demokratike e Albin Kurtit, nuk do të jetë as Republikë dhe as demokratike pa mbrojtjen e Perëndimit. Ajo qysh tani po copëtohet në Veri, i cili po kalon pak nga pak nën kontrollin e plotë të NATO, për shkak të akteve të panevojshme të njëanshme të Albin Kurtit, kundër rekomandimeve ndërkombëtare.

Në këto kushte mbledhja e përbashkët e dy qeverive, nuk i shërben asgjëje, përveçse i jep oksigjen Albin Kurtit të kapardiset si gjeli majë plehut kundër Perëndimit në një tryezë zbuluar me flamuj kombëtar shqiptarë.

Dy qeveri që nuk ndajnë qëndrime të përbashkëta për gjëra themelore, nuk ka pse takohen në mënyrë ceremoniale. Sa për letra e dosje, ato funksionojnë në rrugë shtetërore nëse duan të funksionojnë, dhe pa mbledhje triumfale. Ceremonitë e përbashkëta bëhen për të dëshmuar që ndajnë vizon të përbashkët dhe jo për të mbuluar krizën reale mes dy vizioneve.

Në Gjakovë nuk shkohet për suxhuk. Ato mund t’i blejmë dhe t’i hamë dhe në Tiranë. Në Gjakovë mund të shkohet vetëm për të dëshmuar që Shqipëria dhe Kosova janë bashkë për një të ardhme perëndimore për Kosovën dhe Shqipërinë. Në fakt nuk janë bashkë dhe nuk kanë pse shtiren.

Kriza nuk është mes Shqipërisë dhe Kosovës, por mes Albin Kurtit dhe qëndrimit të Shqipërisë dhe Perëndimit. Dhe para se të përplasin brirët Shqipëria me Kosovën, duhet që Albin Kurti të pranojë të ballafaqohet sy më sy me kryeministrin Edi Rama, i cili ka detyrë t’i përçojë Albin Kurtit ultimatumin e vendeve të Perëndimit, ku është anëtar i NATO dhe kandidate e BE. Dhe ai refuzon pasi nuk dëgjon dot atë që nuk do.

Prej sot mbasdite, pas takimit të Lajçak me Borellin dhe në koordinim me palën amerikane, do të fillojë aplikimi i masave ndaj Serbisë dhe Kosovës për depërshkallëzimin e situatës. SHBA, siç tha dhe senatori Chris Murphy, një nga përkrahësit e mëdhenj të Kosovës, është ndjerë e rrezikuar se mund t’i vriteshin ushtarë amerikanë nga aktet e kryeministrit të Kosovës dhe nuk mund ta tolerojë më atë situatë. Bashkimi Evropian po ashtu.

Shqipëria është pjesë e NATO dhe kandidate për në BE, dhe e ka për detyrë t’i ofrojë Kosovës mbështetjen e saj të plotë vetëm si një shtet që bashkëpunon me Perëndimin. Çdo akt tjetër e bën Kosovën, ose Palestinë, ose Qipro. Dhe kjo për shkak të Albin Kurtit.