Akademiku Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv komentoi situatën në veri të Kosovës. Xhufi e cilësoi të gabuar, vendimin e Kurtit për të çuar policinë dhe futur në komuna, kryetarët e zgjedhur në veri. Sa i përket draftit të Ramës për asociacionin, Xhufi u shpreh se vula dhe draftet u duhen lënë vendeve të mëdha, SHBA dhe BE-së sepse ato kanë përvojë në zgjidhjen e këtyre situatave.

“Nuk e dimë nëse Albin Kurti ka pyetur njeri për këtë hap jashtëzakonisht sfidues, që është edhe i rrezikshëm për të shkuar drejt një objektivi që ai ka caktuar dhe që duket një luftë me mullinjtë e erës. Në këtë çështje duhet të ketë një bashkëpunim. Në zgjedhjet e fundit në veri, serbët nuk morën pjesë. Ti nuk mund ta detyrosh SHBA-në dhe Bashkimin Evropian që të realizojë qëllimin tënd duke vepruar në mënyrë te njëanshme, duke çuar kryetarë komunash në një zonë ku nuk ka shqiptarë. Le t’i quajë BE-ja dhe SHBA-ja zgjedhje të qeta, rezultati i tyre duhet pranuar, por ti nuk mund të çosh policinë mes një komuniteti serb të elektrizuar nga Beogradi dhe të fusësh një kryetar komune që do jetë i rrezikuar gjithë kohës. Kjo mënyra është e gabuar.

Albin Kurti të masë hapat. Ka munguar takti diplomatik dhe nuhatja. Kjo është fatkeqësi e madhe. Dhe pastaj del edhe problemi i bashkërendimit të punës në grup. Në zgjidhjen e këtyre problemeve, ne dhe shqiptarët e Kosovës kemi interes që vulën dhe draftet t’i bëjnë ata të mëdhenjtë që përcaktojnë fatet e ne të vegjëlve. Ata kanë bërë draft edhe për Zajednicën, kanë ndërhyrë, ka vend për përmirësime. U duhet lënë atyre, ata kanë fuqinë, por edhe arrogancën, por një arrogancë e bukur që u ka hije se janë të mëdhenj.”, u shpreh akademiku.