Përmbyllet me sukses projekti “ORKA”, me objekt luftën kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve. Projekti i organizuar me mbështetje të qeverisë dhe Policisë së Gjermanisë, iu bashkëlidh punës së Policisë së Shtetit, 5 vjet më parë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, drejtues dhe përfaqësues të projektit “ORKA”, si dhe oficerin ndërlidhës të BKA-së gjermane në Shqipëri, me rastin e përmbylljes tejet të suksesshme, të projektit ndërkombëtar “ORKA”, i cili e ka asistuar Policinë e Shtetit, që prej vitit 2018. Projekti “ORKA” erdhi si rezultat i bashkëpunimit solid të Policisë së Shtetit dhe Policisë Gjermane, dhe pati si objektiva hetimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve, gjurmimin e pasurive të pjesëtarëve të tyre, si dhe ndërhyrjen për të dobësuar deri në eliminim, organizimin mbi të cilin ata funksionojnë.
Gjatë zhvillimit të këtij projekti janë ndjekur 42 procedime penale për shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, janë lëshuar 128 urdhra-arresti, janë vënë në hetim 328 shtetas, si dhe janë sekuestruar 2.8 tonë kokainë, 20 kg heroinë, 781 kg cannabis sativa dhe 32 armë zjarri. Në kuadër të përmbylljes së këtij projekti, ekspertëve të njësisë “ORKA”, me drejtues drejtorin e Drejtorisë Hetimore në DPPSh, Edmond Rizaj, iu akorduan certifikata, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin, angazhimin dhe profesionalizmin e dedikuar gjatë gjithë zhvillimit të projektit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguroi Ambasadorin dhe delegacionin e BKA-së gjermane, se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar dhe tejet e hapur për çdo bashkëpunim në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkët.