Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri raportoi dje në Kuvendin e Shqipërisë mbi veprimtarinë vjetore të institucionit që ai drejton për vitin 2022. Në fjalën e tij, Myzyri tha se viti 2022 ishte një vit sfidues për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik në disa drejtime.

“Së pari, viti që lamë pas ishte një vit i rëndësishëm për të matur impaktin dhe progresin e reformës më të rëndësishme të kaluar nga institucioni i Komisionit të Prokurimit Publik, atë të digjitalizimit të shërbimeve. Kjo reformë nisi në mesin e pandemisë, në korrik të vitit 2020 dhe përfundoi në tetor të vitit 2021. Ndaj viti 2022, ishte një vit vendimtar për të matur indikatorët e saj. Vetëm gjatë një viti, mbi 39 % e operatorëve ekonomikë, zgjodhën vullnetarisht të dorëzojnë ankesa vetëm në rrugë elektronike pranë autoritetit/enteve kontraktore dhe Komisionit të Prokurimit Publik. Kështu, përmes digjitalizimit të shërbimeve, arritëm t’u kursejmë 52,390 km rrugë operatorëve ekonomikë për të paraqitur ankesa dhe mbi 50,000 $ kosto për paraqitjen e ankesave në rrugë shkresore. Përmes dorëzimit elektronik të akteve, arritëm të shmangim printimin e mbi 14,662 fletëve dhe të rrisim aksesin e operatorëve ekonomikë në sistemin e rishikimit. Falë digjitalizimit të shërbimeve, mbi 26 operatorë ekonomikë ankimues të rinj kanë paraqitur ankesa, duke patur në total 300 operatorë ekonomikë ankimues për 201 nga 400 autoritete, që kanë publikuar procedura prokurimi mbi kufirin e blerjeve të vogla.

Digjitalizimi i shërbimeve në tërësi, ka ndryshuar jo vetëm aksesin e operatorëve ekonomikë në drejtim të sistemit të rishikimit, por edhe sjelljen e grupeve të interesit, përfshirë edhe të vetë Komisionit të Prokurimit Publik. Digjitalizimi i shërbimeve ka rritur shpejtësinë e vendimmarrjes, ku vetëm 10.1% e ankesave janë trajtuar jashtë afatit krahasuar me 22.8 % në vitin 2020 dhe me 10.8% në vitin 2021 dhe ka shkurtuar kohën e shqyrtimit të ankesave nga 17-të në 12-të ditë. Gjatë vitit 2022 është vënë re, se autoritetet kontraktore kanë shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime/problematikave”, tha Myzyri. Sipas Myzyrit transparenca është e rëndërësishme, pasi KPP ka bindjen e thellë se nëse nuk sigurohet kjo e fundit, konkurrenca e hapur nuk mund të realizohet dhe dështimet e tjera në procesin e prokurimit mund të mbulohen, duke patur një dobësim të nivelit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies.

“Ndaj, edhe në vitin që lamë pas kanë vijuar përpjekjet tona drejt përmirësimit të standardit të publikimit të të dhënave, ku në bashkëpunim me Open Contracting Partnership, një organizatë jo fitim prurëse me bazë në Uashignton, kemi ndërtuar një seksion të posacëm të publikimit të statistikave në kohë reale, aksesuar edhe nga personat me aftësi të kufizuar si dhe për herë të parë në 10 vitet e fundit, KPP publikon veprimtarinë e bazuar në OCDS, një standard i dedikuar për Organet e Shqyrtimit të Ankesave, pilotuar për herë të parë në Europë nga Komisioni i Prokurimit Publik. Gjithashtu, puna vijon për digjitalizimin e arkviës së 10 viteve të fundit në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Viti i kaluar ishte sfidues edhe në drejtim të ofrimit të shërbimeve online edhe për shkak të sulmit të paparashikuar dhe të paprecedentë kibernetik që goditi Shqipërinë. Kjo ngjarje e paprecedentë, e vuri Komisionin e Prokurimit Publik përballë një sfide jashtëzakonisht të vështirë, atë të sigurimit të vijueshmërinë së shërbimit të shqyrtimit të ankesave. Të ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm në sistemin e prokurimit publik dhe përgjegjësive të dhëna nga ligji, falë organizimit të mirë, puna në asnjë moment nuk u ndal. Gjatë gjithë kohës, kur shërbimet elektronike ishin të paaksesueshme, shërbimi online i informimit të publikut, u transferua në median e shkruar dhe elektronike, në këndin e Njoftimeve Publike të vendosur pranë ambienteve të institucionit, si edhe në sisteme të hapura digjitale të paaksesueshme. Ndaj, shprehim mirënjohjen ndaj çdo medieje të shkruar edhe elektronike, që mundësoi vijimin e publikimit të veprimtarisë së institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik, si një shembull të bashkëpunimit të frytshëm mes institucioneve publike dhe medias. Për ditët që shërbimi i dorëzimit të ankesave u mundësua në rrugë elektronike, puna nuk u ndërpre, por u regjistruan 77 ankesa dhe u morën 89 vendime”, deklaroi Myzyri.

Më tej gjatë fjalës së tij kreu i KPP Myzyri nënvizoi se me rikthimin e shërbimeve online, u arrit të vërtetohej, se falë sistemeve të sigurta, të ndërtuara në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, nuk pati asnjë dëmtim apo shpërndarje të paautorizuar të të dhënave të Sistemit të Ankesave Elektronike dhe se të dhënat janë të sigurta.

“Në rrugëtimin e ndryshimit të ofrimit të shërbimit, kemi vijuar të jemi pranë me asistencë teknike për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, duke miratuar dhe dërguar në adresë të dedikuar, të gjitha manualet e nevojshme, për secilin përdorues të sistemit të ankesave, por gjithashtu edhe duke ofruar asistencë me mbi 2720 minuta komunikim, mbi 340 e-maile zyrtare dhe komunikim me anë të një sistemi mesazhesh falas të vënë në dispozicion në faqen tonë zyrtare.
Falë mbështetjes së Kuvendit, u përfundua edhe faza e dytë e digjitalizimit të shërbimit, duke mundësuar ndërtimin e infrastrukturës për regjistrimin audio të seancave dëgjimore të Komisionit, më shumë transparencë në publikimin e rasteve në proces gjyqësor dhe ndërveprimin me sisteme të treta dhe një sistem të avancuar të menaxhimit të brendshëm.

Reforma e digjitalizimit e ndjekur nga institucioni i Komisionit të Prokurimit Publik ka gjetur gjithashtu edhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare, si edhe është vlerësuar, si nga organizma të BE-së, ashtu edhe nga organizata ndërkombëtare me fokus në transparencën në prokurime. Në shtator të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, në Maqedoninë e Veriut, u mbajt “Ministeriali i Ballkanit Perëndimor mbi Reformat në Administratën Publike”. Në këtë takim u ndanë edhe disa çmime për performancën e institucioneve publike, për disa nga vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë. Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), ishte institucioni i vetëm nga Republika e Shqipërisë, që u vlerësua me çmimin, “Besueshmëria në Administratën Publike“, ndërkohë që sistemi i ankesave elektronike, u përzgjodh ndër 15-të projektet më të mira në nivel botëror në Samitin Govtech, të zhvilluara në Hagë.
Vlerësim për punën e Komisionit, është bërë edhe nga Komisioni Europian, ndërkohë organizata joqeveritare me fokus transparencën në prokurime, me bazë në Uashington, Open Contracting Partnership, i ka dedikuar një artikull të posaçëm historisë së progresit të Komisionit të Prokurimit Publik.

Së dyti, viti i kaluar, ishte viti i parë i zhvillimit të të gjitha procedurave të prokurimit publik me ligjin e ri, një ligj i cili jo vetëm është përafruar me katër direktiva, por gjithashtu ka sjellë ndryshime të qenësishme materiale dhe procedurale. Kësisoj, përgjegjësia e Komisionit të Prokurimit Publik ka qenë edhe më lartë në trajtimin e çështjeve të reja, si edhe në konsolidimin e praktikës vendimmarrëse.
Nga 6494 procedura të publikuara për t’u zhvilluar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, për 532 procedura unike, janë paraqitur 794 ankesa, nga të cilat 782 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 8 (tetë) ankesa për procedurat e ankandit publik, dhe 4 (katër) ankesa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ankesat janë paraqitur nga 300 operatorë ekonomikë unikë për 201 autoritete kontraktore.

Gjatë vitit 2022, 39 % e ankesave janë paraqitur për dokumentet e tenderit dhe 61 % e tyre për fazën e vlerësimit të ofertave.
Numrin më të lartë ankesave për procedurat unike e zënë ato për kontratat e mallrave me 486 ankesa për 308 procedura unike, të shërbimeve me 235 ankesa për 166 procedura unike dhe së fundmi punët publike me 73 ankesa për 58 procedura unike. 33% e ankesave për fazën e shqyrtimit të ofertave janë pranuar nga Komisioni dhe 55 % e ankesave për fazën e dokumenteve të garës janë pranuar nga Komisioni. Krahasuar me vitin 2020 dhe vitin 2021, vihet re një ndërgjegjësim i operatorëve ekonomikë për rritjen e ankesave dhe njëherazi kontrollit dhe shmangies së problematikave që në fazën e hershme të procedurave të prokurimit, atë të dokumenteve të tenderit.

Në krahasim me vitin 2021 vihet re një ulje e numrit të ankesave në raport me numrin e procedurave të publikuara në SPE nga 15.1% në 8.19%. Ulja e numrit të ankesave lidhet gjithashtu edhe me forcimin e qëndrueshmërisë në vendimmarrje të Komisionit, rritjen e vendimeve interpretuese me 19 të tilla si edhe rritjen e komunikimit me grupet e interesit. Kështu, rezulton se falë punës së bërë nga Komisioni, autoritet kontraktore dhe operatorët ekonomikë po shmangin përsëritjen e gabimeve dy herë.
Gjatë vitit 2022, Komisioni i Prokurimit Publik është shprehur me 815 vendime, nga të cilat 614 vendime themeli, 64 vendime deklarative përfundimtare, 100 vendime të ndërmjetme dhe 37 vendime për tërheqjen nga ankesa individuale, me një kohë mesatare të trajtimit të ankesave prej 12-të ditësh, me treguesit më të mirë në dhjetëvjeçarin e funksionimit të tij.
Gjatë vitit 2022, Komisioni ka shqyrtuar 809 ankesa të operatorëve ekonomikë nga të cilat 739 për ankesa të regjistruara në vitin 2022, 70 ankesa të vitit 2021. Në total janë pranuar 305 ankesa dhe nuk janë pranuar 307 ankesa.

Pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik, pas ushtrimit të mjeteve të rishikimit, ankimit administrativ nga operatorët ekonomikë, me anë të dorëzimit të ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik, KPP-ja pas shqyrtimit të ankesave, nga vendimmarrja e kësaj të fundit, i ka kursyer buxhetit të shtetit, vlerën prej rreth 115,967,650,00 lekësh pa TVSH, llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik. Gjatë vitit 2022, ka vijuar bashkëpunimi me Agjencinë e Prokurimit Publik në drejtim të dërgimit për hetim të thelluar të çështjeve, në të cilat nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik janë konstatuar shkelje administrative. Janë dërguar për hetim 10 çështje pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, njëra prej të cilave i është referuar për hetim Rrjetit të Koordinatorëve Kundër Korrupsionit, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Gjithashtu, gjatë vitit 2022, është vendosur masa administrative gjobë për dy titullarë të autoriteteve kontraktore, për mosbashkëpunim me Komisionin e Prokurimit Publik.

Edhe në vitin që lamë pas, ka vijuar puna e institucionit në drejtim të monitorimit të zbatimit të vendimeve nga ana e autoriteteve kontraktore, ku falë punës së bërë, vihet re rritja e shpejtësisë në kohë, e zbatimit të vendimeve të Komisionit nga ana e autoriteteve kontraktore. Komisioni i Prokurimit Publik, pas tejkalimit të afatit ligjor të përcaktuar, për zbatimin e vendimeve nga ana e autoritetit kontraktor, ka dërguar 43 (dyzetë e tre) kërkesa drejtuar autoriteteve kontraktore për zbatim vendimi, ndërsa gjatë vitit 2021 numri i kërkesave dërguar autoriteteve kontraktore arrinte në 60 (gjashtëdhjetë). Shpejtësia mesatare e zbatimit të vendimit nga ana e autoritetit kontraktor është 7 ditë nga data e dërgimit të kërkesës për zbatim vendimi.
Ndër problematikat e konstatuara nga ana e autoriteteve kontraktore renditen si më poshtë vijon:
1. Hartimi nga ana e autoriteteve kontraktore të kritereve të veçanta të kualifikimit të paqarta, evazive.
2. Hartimi nga ana e autoriteteve kontraktore të specifikimeve teknike.
3. Shkelje procedurale të kryera nga autoriteti kontraktor në fazën e vlerësimit të ofertave;
4. Kryerja e procesit të administrimit, trajtimit dhe verifikimit të mostrave.
5. Gabime në përllogaritjen e fondit limit.
6. Problematika nga ana e autoriteteve kontraktore, e mosnjohjes së mirë të ndryshimeve të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimet publike”.
7. Problematika e autoriteteve kontraktore e moskryerjes së veprimeve procedurale të ngarkuara nga ligji, për komunikimin midis autoritetit kontraktor dhe operatorëve ekonomikë, për korrigjimin e të metave të ankesës.
8. Problematika e autoriteteve kontraktore e moskryerjes së veprimeve procedurale të parashikuara nga neni 114, për njoftimin për vendimmarrjen mbi trajtimin e ankesës, jo vetëm të operatorëve ekonomikë ankimues, por edhe subjekteve të interesuara.
9. Problematikat mbi veprimet procedurale të autoriteteve kontraktore të kryerjes së verifikimeve të deklarimeve të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës të deklaruar në Formularin Përmbledhës të Vetëdeklarimit.
10. Problematikë është shfaqur edhe mungesa në disa raste e dhënies së sqarimeve të plota të autoriteteve kontraktore ndaj kërkesave për sqarim të operatorëve ekonomikë ankimues.
Gjithashtu gjatë vitit 2022, Komisioni ka konstatuar edhe problematika në dorëzimin e ankesave nga ana e operatorëve ekonomikë të cilat rezultojnë si më poshtë vijon:
1. Në një numër të konsiderueshëm rastesh është konstatuar, se operatorët ekonomikë nuk janë mjaftueshëm të informuar për formën, afatet dhe procedurat e përcaktuara nga ligji, për ankimin administrativ për prokurimin publik.
2. Operatorë ekonomikë kanë paraqitur ankimin e tyre, pa paraqitur formularin e pagesës, kusht ky i domosdoshëm për vlefshmërinë e ankimit.
3. Operatorët ekonomikë, në cilësinë e subjektit të interesuar, të prekur nga vendimmarrja e autoritetit kontraktor, kanë paraqitur ankim pranë autoritetit kontraktor dhe Komisionit të Prokurimit Publik, duke mos ezauruar shkallën e paraqitjes së argumenteve pranë autoriteteve kontraktore dhe KPP-së, sipas parashikimeve të pikës 1 të nenit 113.
4. Operatorët ekonomikë në dorëzimin e ankesave pranë autoriteteve/enteve kontraktore nuk kanë identifikuar qartësisht objektin e ankesës dhe pretendimet e tyre.
5. Operatorët ekonomikë nuk janë të qartë mbi ndryshimet, mes kërkesave për sqarim të dokumenteve të procedurës së prokurimit dhe kërkesave për ndryshim të kritereve të veçanta të kualifikimit/ specifikimet teknike.
6. Në rastin e konstatimit të ofertave anomalisht të ulëta në kuptim të nenit 93 të ligjit nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, operatorët ekonomikë kanë dështuar të dorëzojnë argumente të plota.
7. Operatorët ekonomikë në disa raste, pas shqyrtimit të ankesës nga ana e autoritetit/entit kontraktor dhe në fazën procedurale të shqyrtimit të ankesës nga Komisioni i Prokurimit Publik, riparaqesin ankesë mbi vendimarrjen e autoritetit.
8. Operatorët ekonomikë nuk janë mjaftueshëm të njohur me ndryshimet e ligjit të prokurimit publik për afatet e paraqitjes së ankesave.
9. Operatorët ekonomikë kanë paraqitur ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik në lidhje me procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, të cilat nuk janë në kompetencën lëndorë të Komisionit të Prokurimit Publik të shqyrtimit të tyre.
10. Gabime materiale të operatorëve ekonomikë në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar për secilin seksion të formularit përmbledhës të vetëdeklarimit.
5 Shkaqet e anulimit të procedurave të prokurimit
Nga numri total i ankesave të shqyrtuara gjatë vitit 2022, prej 809 (tetëqind e nëntë) ankesa në total, për 61 prej tyre ose për 50 procedura unike, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur për anulimin e procedurave të prokurimit publik. Ndër arsyet kryesore të konstatuara nga Komisioni i Prokurimit Publik që kanë çuar në anulimin e procedurës janë:
1. Hartimi nga ana e autoriteteve kontraktore të kritereve të veçanta të kualifikimit dhe të paqarta, evazive të cilat kanë sjellë paqartësi, konfuzion në procesin e vlerësimit të ofertave dhe/ ose pabarazi në trajtimin e të drejtave dhe detyrimeve të operatorëve ekonomikë.
2. Hartimi nga ana e autoriteteve kontraktore të specifikimeve teknike në kundërshtim me nenin 36 të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik” të ndryshuar.
3. Shkelje procedurale të kryera nga autoriteti kontraktor në fazën e rivlerësimit të ofertave;
4. Kryerja e procesit te administrimit, trajtimit dhe verifikimit të mostrave nga ana e autoritetit kontraktor, jo në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik;
5. Gabime në përllogaritjen e fondit limit.

Qëndrueshmëria e vendimmarrjes së Komisionit është konfirmuar edhe nga Gjykata administrative, si në drejtim të numrit më të ulët të padive me vetëm 5.5% të vendimeve të Komisionit të ankimuara në Gjykatë, në krahasim me 7.8% në vitin 2021, por edhe në raport me vendimmarrjen e Gjykatës në lidhje me këto vendime.
Në përfundim të procesit gjyqësor në shkallë të parë dhe në apel, gjykata ka vendosur pranimin e plotë për 2 padi dhe pranim të pjesshëm për 3 padi, si dhe ka vendosur rrëzimin e 10 kërkesëpadive në vitin 2022.

Me synim shmangien e përsëritjes së problematikave të konstatuara, si edhe në zbatim të detyrave të lëna në rezolutën e Kuvendit, ka vijuar bashkëpunimi me të gjitha grupet e interesit, përmes organizimit në bashkëpunim me SIGMA-OECD, të dy uorkshopeve të rëndësishme, një me autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë me mbi 300 pjesëmarrës dhe një me sistemin gjyqësor në bashkëpunim edhe me Këshillin e Lartë Gjyqësor. Komisioni ka vijuar të shprehet edhe me vendime interpretuese, duke publikuar njëherazi në faqen zyrtare dhe buletinet periodike, për të gjithë operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, njoftime mbi praktikën vendimmarrëse në çështje specifike, me rëndësi për sistemin, si edhe me publikimin e buletineve mujore informuese për të gjitha grupet e interesit.

Ngritja dhe forcimi i kapaciteteve, ka qenë kryefjala e vitit 2022 për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik, si me institucionet publike, ku ka vijuar trajnimi me Universitetin e Tiranës dhe ka nisur puna për hartimin e një manuali për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, por gjithashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë. Në nivel ndërkombëtar, Komisioni, gjatë vitit që lamë pas, lidhi marrëveshjen e posaçme me Autoritetin Kombëtar Anti – Korrupsion të Republikës së Italisë (ANAC), me synim ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve. Gjithashtu, modestisht, falë mbështetjes së Kuvendit, është themeluar edhe biblioteka e parë me mbi 30 libra të huaj, falas, dedikuar për të gjithë praktikantët e prokurimit dhe kërkuesit shkencorë, pranë mjediseve të Komisionit. Forcimi i kapaciteteve të zyrtarëve të prokurimit në nivel kombëtar, mbetet sfida kryesore edhe për vitin 2022, pasi çdo reformë institucionale apo politikë publike nuk mund të zbatohet e veçuar, pa një trupë zyrtarësh prokurimi të kualifikuar”, theksoi Myzyri.