Arabia Saudite ka njoftuar se do të shkurtojë furnizimet e saj me naftë për ekonominë globale në një përpjekje për të mbështetur çmimet.

Njoftimi erdhi pas negociatave disa orëshe në një takim të OPEC +, grupimi i Organizatës 13-anëtare të Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), e kryesuar nga Arabia Saudite dhe 10 partnerët e grupit, të udhëhequr nga Rusia.

Takimi u cilësua si i vështirë, me Rusinë që dëshiron të ruajë nivelet e prodhimit dhe Arabinë Saudite që kërkon të rrisë çmimet.

Prodhuesit e OPEC + ranë dakord në takimin në Vjenë për të zgjatur shkurtimet e mëparshme të prodhimit deri në vitin e ardhshëm, ndërsa vendimi saudit për të ulur 1 milion fuçi në ditë (bpd) ishte një hap i njëanshëm.

Çfarë tha Arabia Saudite?

Prodhimi i Arabisë Saudite do të bjerë në 9 milionë fuçi në ditë në korrik nga rreth 10 milionë fuçi në ditë në maj.

Ministri i Energjisë i vendit, Princi Abdulaziz bin Salman, u tha gazetarëve se shkurtimi i fundit i Riadit është “i zgjatur”.

“Prodhuesit e OPEC+ do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë stabilitet në këtë treg”, shtoi ai.

Pse Arabia Saudite po redukton prodhimin e naftës?

Prodhuesit e naftës kanë vuajtur nga rënia e çmimeve dhe paqëndrueshmëria e lartë e tregut në dritën e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në prill, disa vende të OPEC+ ranë dakord të ulin prodhimin vullnetarisht me më shumë se një milion fuçi në ditë.

Çmimet fillimisht u rritën pas njoftimit, por më vonë ranë mes shqetësimeve për dobësinë e ekonomisë globale.

Analistët shohin se ulja e fundit ka të ngjarë të rrisë çmimet e naftës në afat të shkurtër, ndërsa ndikimi afatgjatë do të varet nga nëse shkurtimet do të zgjerohen më tej.

Jorge Leon, nënkryetar i lartë i kërkimit të tregjeve të naftës në Rystad Energy, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” (AP) se vendimi i Riadit ofron “një dysheme çmimi sepse sauditët mund të luajnë me uljen vullnetare sa të duan”.

Vendi i pasur me naftë ka nevojë për të ardhura për të balancuar buxhetin e tij dhe financuar projekte ambicioze shtetërore.

Si ndikohet Rusia?

Vendimi saudit dhe rritja e çmimeve të naftës mund të sjellë përfitim për Rusinë, pasi Moska ka gjetur klientë të rinj të naftës në Indi, Kinë dhe Turqi mes sanksioneve perëndimore.

Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak tha se Moska do të zgjasë shkurtimin e saj vullnetar prej 500 mijë fuçi në ditë deri në fund të vitit 2024 sipas marrëveshjes së OPEC +.

Por eksportet totale të naftës dhe produkteve të rafinuara të Moskës, si karburanti dizel, u rritën në prill në 8.3 milionë fuçi në ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në një rekord të lartë pas pushtimit.