Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar një takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë vizitës që po mban në Bruksel.

Ditën e djeshme Rama pati një takim me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel. Më vonë ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ndau edhe detaje nga takimi, duke u përqendruar tek tensionet në veri të Kosovës. Ai u shpreh se de-përshkallëzimi i tensioneve është i domosdoshëm për të patur një finalizim të marrëveshjes të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!”, shkroi Rama.

“Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi ai.

Pas letrës së dërguar ndaj presidentit francez dhe kancelarit gjerman për një shtysë të re nga BE për zbatimin e planit franko-gjerman si zgjidhje për tensionet Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama udhëtoi dje në Bruksel, për t’u takuar me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.