Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar konferencën për shtyp pas darkës zyrtare të organizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryeministri holandez, Mark Rutte në Holandë, për folur për situatën në veri të Kosovës. Kryeministri tha se në Kosovën veriore ka një situatë shqetësuese që duhet zgjidhur, pasi “nuk duam të shohim një tjetër thyerje në Ballkanin Perëndimor”.

“Është nderi i veçantë të jem këtu me ju. Nuk mund ta fsheh admirimit për ju, urime për darkën e shijshme. Kushdo që mund të vërë bast mbi shanset për të thyer këtë solidaritet dhe për të ndarë NATO-n ka humbur dhe do të humbasë deri në fund.

Gjithashtu mund të bisedojmë për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë të veçantë për Kosovën veriore, ku disa javë më parë ushtarët e NATO-s u lënduan. Shpresoj që ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt, sepse në të kundërt mund të sjellë fund katastrofik. Nuk mund të shohim një thyerje në rajonin tonë, që ka bërë shumë arritje”.

Jens Stoltenberg dhe Mark Rutte organizuan sonte darkën për disa kryetarë shtetesh e qeverish nga vende anëtare të NATO-s, në vigjilje të Samitit të Vilnius më 11-12 Korrik.