Emigracioni po dëmton të gjithë vendin në tërësi dhe bujqësinë në veçanti. Teksa tregon se Greqia, Italia dhe Gjermania janë destinacionet kryesore të fermerëve shqiptarë, Organizata Botërore e Migracionit paralajmëron për ditë të vështira për ekonominë.

“Përveç emigracionit, e cili po zbraz veçanërisht zonat rurale, Shqipëria po përballet edhe me deformim të brendshëm demografik. përherë më shumë periferia po orientohet drejt qendrës duke barazuar zonat rurale”, thotë Esmeralda Ballesha, eksperte e bujqësisë.

Në raportin “Ndikimi i emigracionit te forca e punës”, IOM sugjeron zbatimin e politikave që nga njëra frenojnë emigrimin dhe nga tjetra joshin të larguarit që të kthehen.
“Në këtë rast ne sigurisht duhet t’u kërkojmë atyre që kanë ikur që të kthehen. Por kjo nuk duhet të mbesë këtu. Ne duhet t’i mbështesim dhe orientojmë ata me qëllim që ardhja e tyre të justifikohet”, thotë Ballesha.

Për të arritur këto objektiva, IOM vlerëson se bujqësia ka nevojë emergjente për më shumë buxhet në dispozicion. “Kjo është veçanërisht e rëndëssime sidomos kur marrim parasysh peshën që bujqësia ka në ekonominë tonë dhe punësim”, thotë Ballesha.

Organizata Botërore e Migracionit vlerëson se në 5 vitet e fundit vendi ka humbur mbi 50 mijë banorë nga zonat rurale, pjesa më e madh e të cilëve djem në grupmoshën 20 deri në 29 vjeç.