Gjithçka ndodhi aq shpejt, sa nuk u kuptua.
Sa hap e mbyll sytë, Yevgeny Prigozhin, shefi i grupimit të mercenarëve Wagner, të cilët luftën në front të parë në Ukrainë, tronditi rrjetin.
“Do ta var Sergey Shoigun në Sheshin e Kuq dhe do e varros në mauzoleun e Vladimir Lenin”.
Me këto tone të ashpra në kulm, ai i bëri botës me dije se Mbrojtja e Shoigut, kishte goditur një kamp Wagner dhe kishte lënë qindra ushtarë të vrarë.
Për këtë, ai do të kërkonte hakmarrje të menjëhershme dhe nisi kthimin e trupave në territor rus, ku në më pak se tre orë, mori qytetin e parë me 1.1 milionë banorë, pa asnjë rezistencë të hasur.
Në Rostov, njerëzit as që e mendonin të rebeloheshin nga paraushtarakët e Wagnerit.
Zyrat e Mbrojtjes, të cilat ndodhen në qytetin jugor, u morën nën kontroll menjëherë, ashtu si i gjithë qyteti dhe më tej rajoni.
Kjo, pavarësisht se Prigozhinit i kishte ardhur nga Ministria një përgjigje, se nuk ishin ata përgjegjës për sulmin. Por ai ishte i bindur ndaj faktit dhe vijoi marshimin.
Vladimir Putin, nuk mundej më të qëndronte në heshtje dhe mëngjesin e 24 qershorit, doli me deklaratë të qartë: Prigozhin na ka ngulur një thikë pas shpine!
Përgjigja, i erdhi e menjëhershme: Ky është një gabim i madh Putin. Rusia shumë shpejt do të ketë një president të ri!
Flladi ishte ai i një grushti të mirëfilltë shteti dhe kështu u besua hap pas hapi me avancimin e Wagner në mënyrë të pareshtur, kur kishin mbërritur rreth 200 kilometra larg Moskës.
Kryeqyteti ishte blinduar. Garda ishte nxjerrë në gatishmëri, Shërbimi Inteligjent po ashtu, si edhe Ushtria.
Pritej vetëm inkursioni final dhe përballja (pse jo figurativisht edhe në Sheshin e Kuq), si një betejë për t’u mbyllur.
Gjithë bota i kishte sytë për nga çfarë po ndodhte në Rusi dhe mendohej se dita kishte ardhur, për të rrëzuar Putinin prej skenës më të lartë politike në Kremlin, prej 20 vjetësh.
Alexander Lukashenko ka folur gjithë ditën në telefon me Prigozhin dhe ka arritur më në fund një ujdi me të për të ndaluar menjëherë marshimin drejt Moskës.
Po aq shpejt reagoi edhe vetë Prigozhin: Jemi 200 kilometra larg kryeqytetit dhe mund të ketë gjakderdhje masive. Duhet bërë e mundur mbijetesa dhe mos-shkatërrimi i grupimit Wagner.
Kaq mjaftoi dhe tërheqja nisi menjëherë, jo vetëm nga rrethinat e Moskës, por edhe nga qyteti i parë i marrë nën kontroll, Rostov.
Akuzat ndaj Prigozhin për tradhti kombëtare, të cilat kishin nisur edhe një hetim ndaj tij dhe mësymje në bazën e Wagner në Shën Petërburg, u zhbënë në fraksion sekonde.
Vetë shefi i mercenarëve do të shkojë në Bjellorusi, siç është bërë me dije nga Kremlini.
Grupimi Wagner nuk do të cenohet dhe të gjithë ushtarëve do t’u jepet leje për kalim dhe pa akuza apo hetime mbi supe.
Raportet nga aktorë të pavarur në Rusi, thonë se Yevgeni Prigozhin e ka marrë atë çfarë donte që prej fillimit të inkursionit të tij drejt Moskës: Ndryshimin e drejtuesve të Mbrojtjes ruse.
E ka bërë vërtetë? Kaq ishte i gjithë qëllimi?
Iluzioni i botës se në Rusi do të kishte luftë civile, shkoi.
Një fabul astronomike kjo në 24 orët e një sallate të vërtetë ruse, të cilën nuk u kuptua si filloi e kur dhe përse mbaroi…nëse ka mbaruar./ Albanian Post