Nga Ylli Pata
Në politikën shqiptare, Ramiz Merko ishte modeli më i ri i ndëshkimit me ligjin famëkeq të SHBA 7031C që tek ne njihet si “shpallja Non Grata”.
Dy vjet më parë, me këtë ligj u ndëshkua Sali Berisha në Shqipëri, e para tij, tre zyrtarë të tjerë; Adriatik Llalla, Tom Doshi e Vangjush Dako.
Ndërkaq, ka gjithashtu disa politikanë e biznesmenë që janë ndëshkuar nga Departamenti i Thesarit të SHBA, por që është një lloj ndëshkimi homolog.
Por rasti i Ramiz Merkos, një politikan shumë i lartë i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka qenë edhe një model, i asaj që Sali Berisha duhet të bënte të paktën, por që bëri të kundërtën.
Ramiz Merko, është një nga politikanët më të rëndësishëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, e që përfaqëson njeriun më me influencë tek pjesa “toske” e shqiptarëve në Maqedonisë, gjë që e ka treguar duke u zgjedhur me tre mandate kryetar i komunës së Strugës. i lindur në Ladorisht fshati më i madh shqiptar në jug të vendit, e një nga politikanët që kontribuan shumë në Marrëveshjen e Ohrit, Merko konsiderohet një nga zyrtarët më të fuqishëm të BDI-së. E që fjala, influenca, vendimi, e ndikimi i tij ka qenë jetik për votat që partia e tij ka marrë në zonën e toskëve të Maqedonisë së Veriut.
Ramiz Merko, është një politikan i dashur sa edhe i akuzuar, me influencë, sa edhe i sulmuar. Mbit ë ka pasur akuza zyrtare dhe procese hetimore. Të cilat, sipas qeverisë së SHBA, Merko ka tentuar t’i ndikojë nëpërmjet influencës së tij politike. E ndëshkimi i tij nga SHBA, ka peshën e madhe pikërisht te “pengimi i drejtësisë”. Njëjtë thuajse identike me atë ndaj Sali Berishës.
Por ç’farë bëri Ramiz Merko? i cili është një zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim? Me një deklaratë personale publike, ai tha se ngrin të gjitha funksionet politike që ka në BDI, dhe betejën e tij ligjore do ta bëjë i vetëm, pa ndikuar kolegët dhe shokët e tij të partisë.
Është fiks, ajo që zërat normalë në Partinë Demokratike kërkuan ndaj Sali Berishës në vitin 2021. Pra që të bënte betejën e tij “për dinjitet” siç e quan, pa ngatërruar Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare. Veprimi e akti më normal që njihet në çdo vend të botës perëndimore. Kur dikush është i akuzuar; largohet nga ofiqet politike dhe e përballon i vetëm betejën për drejtësi.
Në Shqipëri tashmë është bërë model prej dhjetë vitesh që kush akuzohet zyrtarisht për ndonjë krim penal, jep dorëheqjen nga çdo funksion publik. Por rasti i Ramiz Merkos, ka ofruar një model plus, edhe për ata që janë pjesë e ndëshkimit amerikan. Pas të cilit prokuroria e Maqedonisë së Veriut nisi menjëherë hetimet për të vërtetuar akuzat e DASH.
Por modeli politik i Merkos, ka një rëndësi jo vetëm për partinë e tij që ja rriti sipas gjasave pikët, ose nuk ja uli më tej, por për statusin e shqiptarëve si një nga aleatët më të ngushtë të Perëndimit në Maqedoninë e Veriut. Ai nuk pranoi të bëjë një beteje me Amerikën për hallet e tij. Përkundrazi, e tha qartë se nuk do të tentojë në asnjë çast të prishë një aleancë që ka nisur me presidentin Willson.
Edhe pse maksimumi Ramiz Merko shkoi deri te niveli i kryetarit të komunës, politikisht ka arritur më lart se Sali Berisha, i cili ka shkuar dy herë në Shtëpinë e Bardhë. Dhe prapë së kupton se ky është ndryshimi i Perëndimit me pjesën tjetër të botës. Mund të hysh në Shtëpinë e Bardhë, mund të kesh qenë edhe President, ta kesh edhe babin president, por drejtësisë s’i shpëton dot. Siç po ndodh me Donald Trump apo me Hunter Biden. Më shumë modele se kaq…