Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e tre policëve kufitarë të Kosovës, të cilët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovë nga forcat serbe.
Autoritetet në Serbi thonë se ata kanë qenë në territorin e tyre, kur ata janë arrestuar.
I dërguari i amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u tha të premten gazetarëve se e kanë ndjekur rastin e arrestimit të tre policëve të Kosovës.
“Janë dy skenarë, një se ata janë kidnapuar nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka thënë Escobar.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot përmes një postimi në Twitter tha se vendi i tij bën thirrje “për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë, të arrestuar më 14 qershor”.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”.
Mbretëria e Bashkuar ka përsëritur thirrjet ndaj kryeministrit Kurti që kryetarët e katër komunave veriore të ushtrojnë detyrën nga objekte alternative dhe të largohet njësia speciale e Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri. Gjithashtu, janë kërkuar zgjedhjet e reja dhe themelimi i Asociacionit.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të qetësuar situatën në kufi.
“Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve kosovarë. Njerëzit në të dy vendet kanë nevojë për perspektiva që konflikti i ka frenuar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Baerbok në Twitter.
Qeveria e Kosovës beson se autoritetet serbe, sipas saj, “i rrëmbyen” tre policët, për shkak të arrestimit të serbit Millun Millenkoviç nga Policia e Kosovës më 13 qershor, nën dyshimet se ka organizuar dhunë kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në veri të Kosovës.