Skemat kombëtare në bujqësi kanë qenë një nxitje e vazhdueshme për fermerët në të gjithë vendin për tu formalizuar, si kusht për të qenë përfitues. Kryesisht ndikim ka pasur nafta falas për punime të mekanizuara në sektorin bujqësor, çka ka bërë që dy vitet e fundit të ketë një kapërcim të ndjeshëm shifrash në formalizim.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2022 është 84.369 duke shënuar një rritje me 34,1% krahasuar me fermerët në fund të vitit 2021. Por si janë të shpërndarë në rajone dhe cili zë peshën më të madhe?
Kështu, Qarku Fier kryeson listën, ku rezultojnë të ushtrojnë aktivitetin 22.747 fermerë apo 27 për qind e totalit. Në këtë qark kryeson Lushnja, ndër 6 bashkitë e tjera, me 11.1 për qind të fermerëve të pajisur me NIPT. Më pas renditet rajoni Korçë, me 15.696 fermerë të regjistruar, ndjekur nga rajoni Elbasan, në të cilin rezultojnë 10.262 fermerë aktiv dhe më pas rajoni Berat ku janë 9653 fermerë.
Deri diku një numër të konsiderueshëm nga edhe Shkodra, ku rezultojnë 6457 fermerë, ndërsa shifrat e individëve që merren me bujqësi dhe që janë të regjistruar në tatime bien ndjeshëm duke filluar me Vlorën, Gjirokastrën, Tiranën, Dibrën dhe Durrësin. Qarqet që kanë më pak fermerë formale janë Lezha dhe Kukësi i cili numëron 1349 fermerë. 54,6% e fermerëve ushtrojnë aktivitetin ekonomik në ferma mikse dhe në kultivimin e perimeve, ndërsa 10,8% e fermerëve pronarë apo drejtues janë gra. (Elisabeta Dosku)