Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë më shumë detaje sa i takon mënyrës si jetojnë muxhahedinët brenda kampit në Manzë të Durrësit.

Lala theksoi se ata lëvizin gjithmonë njëri-pas tjetrit dhe kanë një mision: rrëzimin e regjimit në Iran.

Kjo e fundit lidhet dhe me faktin se ata nuk bëjnë fëmijë dhe as nuk kryejnë marrëdhënie intime me njëri-tjetrin, pikërisht sepse kanë statusin e “luftëtarit të lirisë”.

“Unë kam qenë në kamp edhe më herët. Lëvizin në grupime të vogla 3, 4 persona dhe asnjëherë një grupim i vetëm. Pra lëvizin njëri pas tjetrit, qëndrojnë të ndarë veçmas gratë dhe veçmas burrat. Kanë psikologjinë e turmës, ata nuk bëjnë fëmijë.

Kanë statusin e “luftëtarit të lirisë”, nuk pranojnë marrëdhënie intime me njëri-tjetrin sepse misioni kryesor i tyre është që të rrëzojnë regjimin në Iran. Grupimi në këndvështrimin tim, gabimi i parë është që ata u lanë të izoluar.

Disa kohë më parë erdhi një çift nga Kanadaja që kërkonte të takonte vajzën në kamp dhe nuk u lejua. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se 450 prej tyre janë larguar dhe ka një persekutim për ata anëtarë që tentojnë të largohen. Fakti që mbahen të izoluar mendoj se ka sjellë këtë situatën dhe ky grup do jetë e vështirë të kontrollohet”, u shpreh gazetarja.