Një tjetër serb është arrestuar si i dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviç në veri të Kosovës më (16 qershor). Sipas policisë së Kosovës, i dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U.V.
Autoritetet thanë se arrestimi është kryer në orët e hershme të 19 qershorit në një fshat të Leposaviçit.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në njoftimin e policisë.
Ky është i dyshuari i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët po raportojnë nga veriu i Kosovës, që pas përshkallëzimit të situatës me 26 maj.
Më 16 qershor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ishte arrestuar Nemanja Vllashkoviç në Leposaviç, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.
Një ditë më pas, Sveçla tha se në pikëkalimin kuftiar në Jarinjë, që lidh Kosovën me Serbinë, për sulme ndaj gazetarëve u arrestua edhe Dalibor Spasiç.