Kombëtarja Shqiptare e ka një modul të qartë dhe nuk do tyë ndryshojë as për sfidën me Moldavinë. Gjatë ditëve të fundit, trajneri Sylvinho duket se ka vendosur edhe për skuadrën që do të hedhë në fushë.

Në portë Berisha do t’i p[araprijë katërshes Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj ndërsa në mesfushë do të rreshtohet Ramadani përpara mbrojtjes i mbështetur nga Bare dhe Bajrami. Treshja e sulmit nuk ndryshon krahasuar me Poloninë pasi që nga minuta e parë do të aktivizohen Asani, Uzunin dhe Cikalleshi.

Berisha

Hysaj-Ismajli-Gjimshiti-Mitaj

Bare-Bajrami-Ramadani

Uzuni-Cikalleshi-Asani

Stafi teknik i drejtuar nga trajneri Silvinjo së bashku me futbollistët kanë mbërritur që në mëngjes në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, me grupin që si zakonisht ka punuar si fillim në palestër. Më pas skuadra ka dalë në fushë, ndërsa stërvitja ka qenë me ngarkesa të vogla fizike dhe më shumë e fokusuar te loja me top.

I gjithë grupi është stërvitur normalisht dhe pa probleme fizike, teksa edhe mbrojtësi Frederik Veseli ka punuar rregullisht duke lënë pas shqetësimet fizike të një dite më parë.

Kombëtarja do të zhvillojë edhe një tjetër seancë stërvitore pasditen e të enjtes po në fushën e Shtëpisë së Futbollit me grupin që ka intensifikuar përgatitjet për ndeshjen e parë të së shtunës në shtëpi, ku përballë do të jetë Moldavia.

Më datë 20 qershor kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Ishujve Faroe, ndërkohë që këto dy sfida janë shumë të rëndësishme për objektivat e Shqipërisë në këto kualifikuese.