Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, për shkak të situatës në veri dhe tensioneve mes dyja vendeve.
BE ka bërë thirrje që Kurti e Vuçiq të shkojnë në takim, duke mos vendosur kushte, duke shtuar se do të ketë pasoja nëse ftesa nuk përfillet nga palët.

Vuçiq ka refuzuar që të takohet me Kurtin, ndërsa ky i fundit ka thënë se po pret informacione për gjendjen e policëve kosovarë të kidnapuar nga Serbia, për të vendosur më pastaj për takimin.
“Kam kërkuar takim për javën që shkoj, më patën thënë se duhet të deeskalohet gjendja, pastaj u kidnapuan tre policët tanë. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas u njoftova për një takimit ë radhës, që s’jam i sigurt që është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jasharit, në burg në Kralevë, kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve që po mbahen peng, po mbahen rob në serbi si hakmarrje, do ta marr vendimin “, ka thënë Kurti.

Lidhur me takimin, pasojat e mundshme nëse shpërfillet ftesa dhe pritjet nga ky takim i mundshëm, ish kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti duhet t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, ndryshe BE do të mendojë se ai dhe Vuçiq po bëjnë lojë me ta. “Kurti duhet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së BE-së për çfarëdo takimi që ka qëllim shtensionimin e situatës, ndryshe me të drejtë BE po mendon se Kurti dhe Vuçiç po luajnë pingpong me ta”, thotë ai.

Arifi thekson se policët e kidnapuar do të lirohen për shkak të presionit të BE-së e SHBA-ve. “Policët e kidnapuar do të lirohen jo për shkak të qëndrimeve të Kurtit por për shkak të presionit të BE-së dhe SHBA-ve”, potencon ish ambasadori.

Sipas tij, do të ishte katastrofale për Kosovën që të ketë përshkallëzim të situatës dhe që faji të hidhej mbi të, teksa shton se Kosova duhet të mësojë se drejtësia ndërkombëtare nuk është ajo çka mendon Kurti. “Do të ishte katastrofale për Kosovën që të ketë përshkallëzim, ku fajësinë për këtë do ta merrte Kosova. Kosova duhet të mësojë se drejtësia ndërkombëtare nuk është ajo çka mendon Kurti se është. Kosova duhet të mendoj se a është e gatshme të paguajë për kauzën e “drejtësisë” së Kurtit”, deklaron Avni Arifi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti politik, Halil Matoshi, për Gazeta Blic thotë se do të ketë takim dhe se po u vjen fundi taktikave të Kurtit e Vuçiçit se kush është më i fortë. “Besoj së takim do të këtë dhe se taktikave të Vuçiç dhe matjes me të Kurtit, në garën destruktive se kush është më i fortë po u vjen fundi”, thotë ai.

Sipas Matoshit, masat kanë filluar të ashpërsohen dhe shpreson se Kurti do t’i parandalojë ato, duke rivendosur koordinim me Amerikën. “Masat tashmë kanë filluar dhe ashpërsimin e tyre – po dua të besoj – do ta parandalojë Albin Kurti, duke rivendosur koordinimin me ShBA-në, përndryshe dëmet për shtetin do të jenë afatgjate”, deklaron Halil Matoshi.