Emisari special i SHBA-ve, Gabriel Escobar, i dha Qeverisë Kurti ultimatum dy ditë që të pranojnë kërkesat e tyre për tejkalim të situatës në veri, raporton Gazeta Blic.
Por, kryeministri Albin Kurti thotë se nuk ka pranuar kurrfarë ultimatumi dhe se ai ka paraqitur zgjidhje për situatën. “Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi. U takuam me emisarët dhe u kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. Së pari është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, u shpreh Kurti.
Po ashtu, kryeministri Kurti tha se ka sfida me emisarët evropianë e amerikanë, por që ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-të dhe BE-në.
“Kam qenë konstruktiv, i përkushtuar, kreativ dhe jam që të gjitha këto, por nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët evropianë dhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme”, tha Kurti.
Lidhur me këtë, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti po thotë gjëra të pavërteta dhe se e di mirë se emisarët nuk përfaqësojnë veten por qeveritë e tyre. “Nuk është hera e parë që kryeministri Albin Kurti thotë gjëra që edhe ai vet e di që nuk janë të vërteta! Ai më mirë se gjithë të tjerët e di që emisarët nuk përfaqësojnë veten por qeveritë të cilat i kanë emëruar”, shprehet ai.
Sherifi thotë se për Kurtin ndoshta as Blinken nuk përfaqëson qëndrimet e SHBA-ve, teksa shton se nëse këta nuk janë të duhurit, me kë duhet të bisedojë ai. “Apo ndoshta për Kurtin as sekretari Blinken nuk përfaqëson qëndrimet e SHBA-së. Nëse këta dy nuk përfaqësojnë SHBA-të, atëherë kush janë personat me të cilët Kurti është duke biseduar e që përfaqësojnë SHBA-të?” vlerëson Bilall Sherifi për Gazeta Blic.
Ai shton se veprimet e Kurtit janë përpjekje dëshpëruese që ta mbajë mashtrimin e mbështetësve të tij dhe po përpiqet që të manipulojë me ultimatumin, duke thënë se s’ka diçka të tillë.
“Këto veprime të Kurtit nuk janë asgjë tjetër përveç përpjekje dëshpëruese për të mirëmbajtur deri sa të mundet mashtrimin e mbështetësve të tij! Kurti përpiqet të manipulojë edhe me çështjen e “ultimatumit” duke thënë që askush nuk i ka dhënë kurrfarë ultimatumi”, potencon Sherifi. Sipas tij, Kurti nuk e sheh si ultimatum derisa nuk është e shkruar në letër, por që ajo çfarë kanë deklaruar nuk është gjë tjetër pos ultimatum.
“Pra, manipulimi qëndron këtu, nëse nuk ka një letër ku shkruan “ultimatum”, atëherë një gjë e tillë nuk ekziston! Por, përmbajtja e asaj që deri më tani në publik kanë deklaruar Escobar dhe Borrell, nuk është asgjë tjetër pos ultimatum. Dhe, këtë Kurti e di shumë mirë”, deklaron Bilall Sherifi për Gazeta Blic. Ndërsa, profesori Arben Fetoshi, thotë se jemi në situatë kritike në marrëdhëniet me partnerët dhe se mesazhet e tyre janë ashpërsuar e mund të sjellin pasoja. “Jemi në një situatë kritike sa i përket marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Mesazhet e tyre janë ashpërsuar shumë dhe mund të përcillen me pasoja serioze”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, qeveria duhet të reflektojë dhe t’i qaset zgjidhje në bazë të kërkesave të ndërkombëtarëve, pasi çdo vonesë rritë koston politike. “Prandaj, qeveria duhet të reflektojë urgjentisht dhe t’i qaset zgjidhjes, bazuar në kërkesat e faktorit ndërkombëtar. Çdo vonesë mendoj se do ta rrisë koston politike për Kosovën në veri”, potencon Fetoshi. Ai shton se tensionet në veri mund ta legjitimojnë kërkesën e serbëve për një mekanizëm më të fortë për komunitetin serb atje, që nënkupton autonomi, andaj qeveria që ta shmang një rrezik të tillë, duhet t’i pranojë kërkesat amerikane.
“Tensionet në atë pjesë dhe fajësimi i Kosovës mund ta “legjitimojnë” para ndërkombëtarëve kërkesën e Serbisë për një mekanizëm sa më të fortë për komunitetin serb, e kjo do të nënkuptonte një autonomi politike që e cenon rendin kushtetues të Kosovës. Kështu që, për ta shmangur një rrezik të tillë, qeveria duhet t’i pranojë menjëherë kërkesat amerikane, ndërsa për asociacionin të ofrojë një draft minimalist, në mënyrë që drafti final i cili do të dilte nga Brukseli të mbetet brenda suazave të kushtetutës tonë”, deklaron profesori Arben Fetoshi.