Policëve u është dashur të shkojnë me barkë në fshatin Baks të Velipojës aty ku kultivuesit kishin ngritur sera dhe kultivonin bimën narkotike kanabis.

Serat ishin ngritur pranë njëra tjetrës, dhe dy të rinj, fshatarë të zonës kujdeseshin për ta. Pikërisht në momentin kur po hiqnin plasmasin e serave që bimët të ekspozoheshin në diellin e mëngjesit janë kapur mat nga policia.

Policia kishte pasur indicie për serat me kanabis ku ishin kultivuar 270 bimë të dyshuara kanabis sativa. Pas disa javësh hetime proaktive dhe monitorim me dron i lëvizjeve të autorëve ndërmori operacionin e koduar “Baks2”

Të arrestuar janë Oraldo Jaku, 33 vjeç dhe Luigj Shenja, 28 vjeç të dy banues në fshatin Baks, Velipojë.

“Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke zbuluar nga plasmasi miniserat, të cilat gjatë natës i mbulonin me plasmas” informoi sot policia e Shkodrës.

Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të bimëve narkotike dhe prova të tjera që do ti shërbejnë hetimit, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.

Më herët në kuadër të operacionit policor të koduar “Baks 1”, u vu në pranga një 19-vjeçar dhe u sekuestruan 2 armë zjarri (1 armë zjarri pistoletë dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak.