Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka publikuar axhendën finale të mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, nesër më 14 qershor, në Gjakovë.

Ngjarja është organizuar të mbahet në Bibliotekën e qytetit, ndërkaq gjithçka nis me pritjen e Kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.

Pas mbajtjes së mbledhjes së përbashkët, është planifikuar një ceremoni e nënshkrimit të marrëveshjeve që priten të nënshkruhen.

Ndërkaq, në orën 13:15, në Teatrin “Hadi Shehu” pritet të mbahet një konferencë e përbashkët e Kryeministrit Albin Kurti dhe Ramës.

Pas konferencës, ZKM-ja në Prishtinë njofton se Kryeministri Kurti ka planifikuar t’i shtrojë drekë Kryeministrit Rama dhe ekipit të tij.

Dita përfundon pas orës 16:00, kur është parashikuar një takim i dy kryeministrave me kryetarët e qyteteve që ndodhën në vijat kufitare Kosovë–Shqipëri.