Kryetari i Komunës së Tuzit, njëherësh kandidati i parë në listën e Forumit Shqiptar për zgjedhjet e 11 qershorit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, ka folur në median malazeze për programin e tij.

Gjeloshaj e ka vënë theksin te fjala zhvillim, duke rënditur fakte se si falë menaxhimit të mirë të shqiptarëve të Forumit Shqiptar që drejtohet prej tij, është rritur punësimi, ekonomia, zhvilluar infrastuktura pa u rritur borxhi.
Ndërsa duke folur për projektet dhe vizionin e Forumit Shqiptar që mban numrin 15 në fletën e votimit, Gjeloshaj theksoi se ka një plan konkret për zhvillimin e ekonomisë, kur tha se: ”Duhet të gjendet mënyra që të mbështeten ata që punojnë dhe ata që themelojnë fabrika, për këtë arsye, ne si pjesë e qeverisë së re, do të kërkojmë dhe prezantojmë mënyrën që të gjithë ata që dëshirojnë që të hapin fabrika për prodhim, duhet tu sigurohet subvencionimi nga qeveria për kamatën në kredi që dikush mund ta marrë për hapjen e një fabrike të re. ”

Më poshtë e plotë:

Të nderuar qytetarë,

E di që jeni të lodhur nga hipotezat, teoritë, premtimet dhe prisni që ajo e cila prej vitesh flitet, të realizohet. Forumi Shqiptar dhe unë, aty ku kemi drejtuar, e kemi treguar me vepra se si punohet dhe se si rritet standarti i jetës së qytetarëve, pa hyrë ne borxhe.

Do të marr shembull Komunen e Tuzit, kam filluar ne vitin e parë me një buxhet prej 1,6 milion, vitin e dytë me 4 milionë, vitin e tretë 6 milionë dhe ëviti i katërt 8 milionë. Asnjë euro kredi apo kamatë. Të gjithë këtë e kemi bërë me përkushtim, e kemi bere sepse kemi zhvilluar ekonomine reale dhe jo thjeshtë rrogat që të merrnim nga një sektor e ta transferonim në tjetrin, që në fund të vitit çon në borxhe dhe kamata. Kemi me qindra vende të reja pune, zhvillimin e infrastrukturës dhe fabrika. Kjo është ekonomia që i duhet Malit të Zi edhe në nivel qëndror. Ne jemi të gatshëm që si Forum Shqiptar, por edhe unë personalisht, që të gjitha këto përvoja dhe eksperiencë që i kemi provuar me fakte, ti zbatojmë edhe në nivel qëndror që të mund të zhvillojmë vendin dhe ekonominë edhe në ato sektorë të rëndësishëm sic janë turizmi, bujqësia dhe enegjia.

Përmes këtyre tre shtyllave, do të mundemi që ta zhvillojme vendin aq sa për disa vite do të shkojmë ne standardin e BE-së. Njëkohësisht, duke përmirësuar infrastruktuën e vendit dhe nduke dërtuar autostradën Adriatiko-Joniane, apo përfundimin e asaj që ka mbetur në gjysmë, të gjitha ato që natyra i ka falur shtetit tonë është ti vëmë në shërbim.

Por pa punë, përkushtim dhe përkujdesje këto nuk mund t’i realizojmë. Nëse marrim shembull komunën e Tuzit, çdo vit nga DRI apo auditorët e pavarur, buxheti i komunës del me bilanc pozitiv. Kjo është mënyra se si duhet të veprojmë dhe të marrim përgjegjësi . Të nderuar qytetarë, nëse 10 herë e përsërisim fjalinë “Zhvillimi ekonomik i Malit të Zi”, kjo nuk do të thotë që do të arrijmë zhvillimin ekonomik.

Zhvillimin ekonomik
mund ta arrijmë nëse do të punojmë me vepra, që në shtetin tonë të hapen fabrika të reja dhe vende të reja pune ku falë atyre fabrikave të kemi prodhime në shitoret tona, dhe jo si tani, ku shumica e prodhimeve ushqimore që familjet blejnë çdo ditë, janë nga importi. Kjo duhet të ndalojë dhe të gjendet mënyra se si të mbështetet ai sektor me qëllim që të zhvillohet, ashtu siç bëhet në Komunën e Tuzit, ku përveçse kemi Cips e lëngje, për një apo dy javë në raftet e shitoreve të mëdha, do të kemi edhe kosin, qumështin, djathin e shumë shpejt edhe vajin e lulediellit.

Ne këtë mënyrë jepet kontributi për zhvillimin e ekonomisë, çdo gjë tjetër është veçse teori. Duhet të gjendet mënyra që të mbështeten ata që punojnë dhe ata që themelojnë fabrika, për këtë arsye, ne si pjesë e qeverisë së re, do të kërkojmë dhe prezantojmë mënyrën që të gjithë ata që dëshirojnë që të hapin fabrika për prodhim, duhet tu sigurohet subvencionimi nga qeveria për kamatën në kredi që dikush mund ta marrë për hapjen e një fabrike të re.

Ky është një model përmes së cilit mendoj se do të mbeshtesim sipërmarrësit, që të fillojnë të punojnë dhë të prodhojnë dhe përmes atyre fabrikave dhe prodhimi. Të jemi pranë tyre dhe bujqve tanë, sepse ata kështu të gjitha prodhimet e tyre bujqësore, siç bëjnë për shëmbull sot qytetarët e Tuzit dhe Zetës, do të kenë fabrika ku mund t’i distribuojnë.

Në këtë mënyrë rritet ekonomia, rriten rrogat, rritet standardi i jetesës së qytetarëve, dhe në vazhdimësi ne si Forumi Shqiptar këto gjëra do t’i kemi në një fokus të veçantë, si pjesëtarë të qeverisë së re pas 11 qershorit.