Arti dhe Muzika ishin kryefjala e mbrëmjes së të shtunës në amfiteatrin e Durrësit.
65 muzikantë nga 15 vende të ndryshme evropiane dhuruan një natë magjike për të gjithë pjesëmarrësit. Dirigjenti i orkestrës, Desar Sulejmani, tha se në këtë natë u gërshetua muzika me politikën, ndërsa tregoi edhe qëllimin e këtij koncerti që i mëshon edhe rrugës së integrimit të vendeve të ballkanit në BE.
Unë mendoj se mesazhi që ne sjellim sot jo vetëm nga Ballkani, por edhe vendet e tjera të Evropës, tregon rrugën që këto 6 vende ende nuk janë pjesë e BE. Ka qenë një nismë politike, por e shoqëruar patjetër me muzikë dhe kulturë. Jemi përqendruar tek gjinia e valleve simfonike. Ndalesa e radhës është në Tetovë, Kosovë, Sarajevë, Mal të Zi, më pas në Gjermani në Berlin”, tha Desar Sulejmani, Dirigjenti i orkestrës.
Me artistë nga Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Gjermania etj, ky koncert orkestral tregoi edhe njëherë se muzika ka fuqinë të bëjë bashkë çdokënd. Teksa shprehën emocionet që përjetuan, artistët pjesëmarrës thanë se janë ndjerë shumë mirë në Shqipëri.
“Jam nga Bosnje Hercegovina. Është një eksperiencë shumë e bukur dhe jam e lumtur që jam pjese e këtij projekti. Jam fanse e madhe e historisë dhe të luash në hapësirë në këtë amfiteatër, është me të vërtetë një eksperiencë e bukur”, tha Kristina Rokvic.
“Është një ndjenjë shumë e mirë që të luash me muzikantë të rinj nga e gjithë Evropa. Ka qenë një javë shumë e mirë, e lodhshme sigurisht, por kur rezultati është i mirë, puna harrohet”, tha Marigona Komani, Violinçeliste.
“Jam nga Gjermania. Është hera ime e parë në Shqipëri dhe jam shumë e lumtur të jem këtu. Asnjëherë nuk kam performuar me aq shumë nacionalitete. Amfiteatri është lokacion special. Diçka ndryshe nga koncertet që kam bërë. Njerëzit këtu janë shumë të hapur, të sjellshëm”, tha një violiniste nga Gjermania.
Koncerti në Durrës u ndoq dhe u duartrokit nga dhjetëra artdashës durrsakë, përfaqësues të trupës diplomatike në Tiranë , ndërsa do të vijojë performancat në disa shtete të tjera të Evropës.