Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë takimit me strukturat drejtuese të Policisë Vendore të Elbasanit deklaroi se forcat e rendit duhet të qëndrojnë vetëm në krahun e qytetarëve.
“Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur dhe do të zbres vetë të kërkoj përgjegjësinë në çdo zyrë e Komisariat. Kërkoj nga ju angazhim si asnjëherë më parë në Elbasan në luftën kundër krimit. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të ‘fortët’ e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i Policisë kundër tyre, është kundërvënie ndaj shtetit”, theksoi Balla.
Sipas tij, çdo drejtues apo punonjës në rolin bazë që tradhëton Policinë në misionin e saj, nuk do të ketë vend në radhët blu.
“Kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka në Policinë e Shtetit”, deklaroi ministri i Brendshëm Balla.