Java e fundit e Korrikut dhe muaji Gusht, pritet të kenë fluksin më të lartë të emigrantëve dhe turistëve që vijnë në vendin tonë nga porti i Durrësit.
Mesatarisht në ditë, numri i tyre shkon mesatarisht mbi 7 mijë qytetarë.

Për shkak të këtij fluksi, Kapiteni i portit Taulant Allka, thotë se prenotimet janë të shumta nga udhëtarët, dhe se tragetet do të nisin të bëjnë dy udhëtime gjatë ditës.

Ai sqaron se nga e hëna deri të mërkurën do jenë tre tragete që do zbarkojnë udhëtarë në portin e Durrësit ndërsa nga e enjtja deri në të dielën në lundrim do të jenë pese tragete për shkak kulmit të lëvizjeve duke sjellë në vend mesatarisht 4 mijë automjete në ditë.

Për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve Allka tregon së në shërbim të tyre janë hapur 32 sportele për kontrollin e dokumentacionit, 20 prej të cilave vetëm për automjetet.

Për të shmangur radhët e gjata nga ana e kapitenerisë është organizuar orari i hyrjeve të trageteve në kalata për të mos krijuar radhë dhe kaos gjatë fluksit të lartë.