PSG dhe Al Nassr u përballën këtë të martë në një miqësore në Japoni, me skuadrat që po zhvillojnë fazën përgatitore në Azi. Për arabët në fushë nga minuta e parë ishte edhe Cristiano Ronaldo. Ylli portugez tregoi se edhe pse në moshën 38-vjeçare ka ende për të dhënë.
Gjatë fraksionit të parë të ndeshjes, CR7 u ndal mrekullisht në një rast nga Donnarumma, me italianin që i mohoi golin sulmuesit. Ronaldo u shkëput bukur dhe me stilin “gërshërë” devijoi topin në të 39 minutë, me goditjen që u prit nga Giggio.
Vetëm pesë minuta më vonë, në të 44 minutë ishte po Ronaldo që mori duartrokitjet e publikut pas një veprimi akrobatik. Krosimi nga e djathta bëri që sulmuesi të godiste me roveshatë, por pa mundur ta dërgonte topin në rrjetë, edhe pse Donnarumma ishte i mundur. Edhe pse vijërojtësi ngriti flamurin për pozicion jashtë loje, Ronaldo tregoi edhe njëherë se është në formën e duhur fizike.