Deputeti i PS, Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen pas dhunës së Fisit Rraja për guroren. Në një njoftim publik thotë se ndihet i turpëruar nga fëmija i tij, të cilit i bën thirrje që të dorëzohet para drejtësisë. Rraja i kërkon ndjesë të gjithë kolegëve të grupit parlamentar dhe votuesve që e emëruan kryetar komune dhe i dhanë 2 mandate si deputet.

Me një kërkim ndjese për viktimat e dhunës, i uron vetes forcë që të përballojë dhimbjen për të shlyer turpin që i biri i la mbi shpatulla. Një ndjesë publike bëri edhe për kreun e qeverisë, për të cilin thotë se s’kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktoi.

Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, njoftoi deputeti i PS.