Policia e Elbasanit ka arrestuar 9 persona të cilët po drejtonin automjetin në gjendje të dehur, apo pa leje drejtimi. Policia e Elbasanit po ashtu ka vendosur mbi 1000 masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Policia e Elbasanit bënë të ditur se gjatë kontrolleve për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e kodit rrugor, u përdorën radarë, dragera, kamera dhe makina inteligjente.

Në njoftimin e saj Policia e Elbasanit, bëri të ditur se gjatë javës së shkuar, si rezultat i këtyre kontrolleve, janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 drejtues për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si edhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”
“Gjithashtu gjatë kontrolleve janë ndëshkuar për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 94 drejtues. Janë ndëshkuar 280 drejtues mjetesh për parakalime të gabura. 136 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. 64 drejtues janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse. 404 drejtues janë ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara. Janë ndëshkuar 251 të tjerë për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor”, njofton Policia e Elbasanit.

Policia e Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.