La Repubblica
Alarmi i ri për klimën u lëshua nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pas njoftimit se korriku i vitit 2023 është muaji më i nxehtë, përveç nëse një mini epokë akullnajash ndodh në ditët në vijim.
Temperaturat rekord të zbuluara nga Copernicus, programi i vëzhgimit të Tokës i Bashkimit Evropian, i dedikuar monitorimit të planetit tonë edhe në frontin klimatik janë të lidhura me valët e të nxehtit të regjistruara në pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut, Azisë dhe Evropës, të cilat, së bashku me zjarret në vende si Kanadaja dhe Greqia, kanë pasur një ndikim të madh në shëndetin e njerëzve, mjedisin dhe ekonomitë.
Por shumë kufij janë thyer në periudhën e fundit: më 6 korrik, temperatura mesatare ditore e ajrit në sipërfaqe globale ka kaluar rekordin e vendosur në gusht 2016, duke u bërë dita më e nxehtë e regjistruar.
Tre javët e para të këtij muaji ishin më të nxehtat e regjistruara, me temperaturën mesatare globale që kaloi përkohësisht nivelin 1.5gradëC mbi nivelin para-industrial. Dhe, përsëri, një rekord për Detin Mesdhe, ujërat sipërfaqësore të të cilit të hënën arritën temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë.
Në Evropë, temperatura rekord prej 48.8 gradë e regjistruar në Siçili më 11 gusht 2021 nuk u tejkalua gjatë valëve të të nxehtit të korrikut, sipas sondazheve aktuale.
Kina vendosi një rekord të ri kombëtar të temperaturës prej 52.2 gradë Celsius më 16 korrik, sipas Administratës Meteorologjike të Kinës.
E gjithë kjo është “vetëm fillimi”, thotë Guterres. Alarmi vjen edhe nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti amerikan Joe Biden i ka quajtur temperaturat e larta për shkak të ndryshimeve klimatike një “kërcënim ekzistencial” për njerëzimin. “Unë besoj se askush nuk mund ta mohojë më ndikimin e ndryshimeve klimatike,” tha Biden në Shtëpinë e Bardhë, ku ai zbuloi një paketë masash për të përmirësuar sigurinë shëndetësore të njerëzve që punojnë jashtë dhe për të rritur fondet për parashikimin e motit./L.F-dritare.net