Monedha europiane ka shënuar një tjetër rekord historik në kursin e këmbimit duke rënë për herë të parë poshtë 104 Lekëve. Këtë të enjte sipas kursit të Bankës së Shqipërisë 1 Euro u këmbye me 103.6 Lekë, ndërsa në tregun e lirë një euro u ble me 103.2 Lekë.

Sezoni turistik përmes prurjeve në euro po thellon më tej nënçmimin e monedhës së unionit. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se tashmë mes Euros dhe Lekut është vendosur një raport i ri këmbimi. Një vit më parë në po të njëjtën periudhë euro këmbehej me 117.32 Lekë, thuajse 18 Lekë më shumë sesa sot. Leku mbetet më i fortë edhe ndaj monedhave të tjera.

Që nga nisja e muajit Qershor dollari qëndron poshtë 100 Lekëshit. Këtë të enjte monedha amerikane sipas Bankës së Shqipërisë u këmbye me 92.77 Lekë, ndërsa në pikat e këmbimit u ble me 92.4 Lekë. Po ashtu Paundi është në nivelin më të ulët historik.

Pikërisht forcimi i Lekut në raport me monedhat e tjera ishte pjesë e diskutimit që guvernatori Sejko zhvilloi me Shoqatën e Bankave ku theksoi edhe një herë se ky fenomen pasqyron përmirësimin e vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe rritjen e interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare.

Në mënyrë që barra e bizneseve eksportuese të lehtësohet, Guvernatori Gent Sejko iu kërkon bankave që të jenë sa më mbështetëse veçanërisht në aspektet e kreditimit.