Ditën e sotme ekipi i televizionit “Syri TV”, i informuar për një takim të Forumit të Gruas të Partisë Socialiste në Rrogozhinë, ka mbërritur që në mëngjes duke u ‘instaluar’ përpara derës se lokacionit ku do të mbahej takimi, duke filmuar të gjithë pjesëmarrëset, në një përpjekje për t’i intimiduar dhe larguar nga takimi gratë pjesëmarrëse.

Mbuluar gjerësisht nga vetë ky televizion familjar i Berishës, në çdo rast kur ekipi është pyetur përse filmonin e intimidonin çdo grua që afrohej në atë zonë pranë qendrës së qytetit, ekipi përgjigjej se ishin ata që po intimidoheshin apo edhe kërcenoheshin sa herë pyeteshin. Ama vetë gazetarja e Syri TV e thotë qe duhet autorizim për të filmuar qytetarë gjatë aktiviteteve ku ata zgjedhin vetë të jenë pjesë, duke bërtitur e sulmuar qytetarë që kryenin të njëjtin aktivitet, me celularët e tyre.

Ky është rasti i parë ku një makinë mediash përdoret me qëllimin për të bllokuar hyrjen e ambienteve ku zhvillohej takimi.

Si të mos mjaftonte kjo, gazetarja e Syri TV vijonte duke raportuar e shprehur se kinse po i  bëhej presion. Mirëpo video-t e mëposhtme janë dëshmi e qartë se askush nuk i ka bërë presion stafit të televizionit të familjes Berisha.

Shihni videon e mëposhtëme ku gazetarja raporton e pashqetësuar, ndryshe nga sa pretendon:

Kjo sjellje tregon se prania e makinës së ‘Syri TV’ bashkë me kameramanin dhe gazetaren kanë pasur për qëllim që të paraqesin një situatë të tensionuar, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Madje nëse i referohemi ligjit të ruajtjes së të dhënave personale ekspozimi i qytetarëve për bindjet e tyre politike konsiderohet vepër e dënueshme. Këtë vepër e ka konsumuar gazetarja e Syri TV.