Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli sot shembullin e “Fustanella Farm” në Petrelë.
“Petrela hijerëndë e historisë, kalasë, ullishtave shekullore ka në territorin e vet një rrjet vibrant agroturizmash. Mes tyre, “Fustanella Farm”, na vjen e shpjeguar me zërin e Johanës e cila frymëzon me punë, bashkëpunim, bashkëveprim me komunitetin, shije dhe estetikë e së bashku me Blandin, i rri punëve të kësaj ferme model mbi krye”, shkruan Krifca në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau edhe një prononcim të Johana Bano, bashkëkrijuese e “Fustanella Farm”.
Bano shprehet se, “Fustanella u ngrit me një dëshirë, për një qasje të re, për të bërë diçka të bukur dhe koncepti është nga fara në pjatë. Dhe sigurisht është dhe cikli i mbyllur i produkteve që është restoranti”.
“Një koncept tjetër i fustanellës është që të jetë dhe një fermë didaktike që fëmijët e të gjithëve ne të rriten me konceptin e një bujqësie të shëndetshme organike.
Unë kam studiuar agrobiznes. Koncepti jonë në fermë ka qenë të jetë një fermë organike dhe të jetë stinore, që çdo perime dhe çdo frut të jetë në stinën e vetë”, thekson ajo.
“Jemi vetëm gati 12 minuta nga qendra e Tiranës kemi rreth 7 dynym. Nuk është një fermë e madhe, por kjo është bërë e madhe duke u bashkuar me komplet zonën ku ne jetojmë dhe punojmë. Punojmë me rreth 12 fermerë. Dikush ka qumështin, dikush shpesh herë na sjell frutat, dikush na sjell perimet, dikush, nuk dua ta harroj këtë , na ka ndihmuar me fara autoktone, dhe kjo është prapë një sfidë tjetër e fustanellës”, shton Bano.
“Çdo gjë gatuhet me qumësht lope. Jemi lidhur me familje që na mbështesin. Ato fitojnë kohë, sepse është ndryshe të mundohesh këtë qumësht ta çosh në pikën e parë dhe është ndryshe ngjitur me derën, portën tënde të kesh grumbulluesin, që në këtë rast është Fustanella. Ndihem shumë krenare që kemi shumë zonja që kanë dalë nga shtëpitë për herë të parë dhe punojnë dhe në fund të muajit sigurisht që kanë vlerësim monetar. Por mendoj vlera më e madhe e këtyre zonjave, nuk ka qenë vlera monetare. Më duket sikur i kemi bërë më të forta ato dhe të dinë që ato kanë vlera absolute në familje dhe shoqëri”, nënvizon Bano.
“Kemi të rinj dhe të reja që vijnë dhe na ndihmojnë, sidomos në aktivitete, në fundjava. Duam që të rinjtë e zonës të qëndrojnë këtu, t’ia dinë vlerën zonës së tyre, të jenë krenarë që janë pjesë të familjeve fermere. U themi çdo ditë që duhet të studioni për një gjë që të jetë më afër komunitetit tuaj”, shton Bano.
“Një sfidë tjetër është dhe kompostimi që ne bëjë tek Fustanella. Dhe ne kemi krijuar në fermën tonë 3 pika kompostimi. Është një vlerë e shtuar, pa diskutim për fermën tonë dhe që pse mos të gjithë fermat si puna jonë, le ta bëjnë këtë të gjithë sëbashku që të mendojmë për një të nesërme më të mirë, më të shëndetshme. Duhet të kemi një dëshirë, një këmbëngulje një ëndërr dhe t’u shkojmë nga pas t’i realizuar të gjitha këto”, përfundon Bano.