“Gambero Rosso”, revista prestigjioze italiane sa i përket ushqimit, verës e udhëtimeve, në një artikull të fundit kushtuar Shqipërisë, e krahason vendin tonë me rajonin e italian të Salentos, i famshëm për bukurinë e natyrës dhe ushqimin e shijshëm.
Artikulli i Francesca Masotti rendit 10 restorante për të mos u humbur në Shqipëri, vend të cilin e vlerëson si një nga destinacionet e reja turistike që ruan thesare natyrore dhe artistike, si edhe me një rritje të madhe të ofertës gastronomike.
“Objektivi i vitit 2023? Është Shqipëria. Vendi ballkanik është destinacioni ideal për të kaluar pushimet tuaja verore (e jo vetëm): është afër Italisë, transporti i lidhur mirë dhe plot surpriza. Është gjithashtu destinacioni ideal për një udhëtim gastronomik. Nga veriu në jug ka shumë restorante, shtëpi fermash dhe taverna ku mund të shijoni pjata tipike, të shijshme dhe riinterpretime sjelle ne kendveshtrim bashkëkohor”, shkruan revista “Gambero Rosso”.
Ja cila është dhe lista e 10 adresave që sipas revistës italiane, nuk duhen humbur nga ata që vijnë në “Tokën e Shqiponjave”:
“Padam” në Tiranë
Shefi i kuzhinës, Fundim Gjepali, gjithashtu kreu i Antico Arco në Romë, ka krijuar një menu të shijshme dhe të rafinuar me pjata që duken si vepra të vogla arti. Ndër të gjitha, provoni vezën me tartuf, salcën e kosit dhe brokoli, dhe akulloren e bërë në shtëpi me biskotë të shtypur.
“Mullixhiu” në Tiranë
Shefi i kuzhinës Bledar Kola, me eksperiencë në Noma në Kopenhagë si dhe në Itali, përgatit gatime tradicionale të gastronomisë shqiptare të sjella ne menyre bashkekohore. Provoni petka, makarona tipike shqiptare të bëra në shtëpi, dhe qumeshtor, një ëmbëlsirë tradicionale me bazë qumështi.
“Gzona” në Tiranë
Në zemër të Tiranës, shefi i ri i kuzhinës Bleri Dervishi – një nga emrat kryesorë të brezit të ri, me një kurrikul të pasur me eksperienca italiane dhe ndërkombëtare – përgatit gatime me përbërës dhe shije vendase. Nga tartari i viçit dhe patëllxhanit, te sallatat e ditës dhe ëmbëlsirat, gjithçka përgatitet me mjeshtëri.
Ferma “Fustanella” në Petrelë
Në fshatin Petrelë, pak kilometra larg qendrës së Tiranës, ky restorant “nga ferma në tryezë”, është një perlë e vogël e rrethuar nga natyra ku shkon për të ngrënë produkte me 0 km dhe pjata tipike të gastronomisë vendase dhe të komuniteteve shqiptare që jetojnë jashtë kufijve kombëtarë.
“Mrizi i Zanave” në Fishtë (Lezhë)
Ky tempull i gastronomisë shqiptare, i lindur nga një ide e vëllezërve Prenga, është një ndalesë thelbësore gjatë një udhëtimi në Shqipëri. Në tavolinat e Mrizit të Zanave mund të hani djathë, byrekë të shijshëm, mish të pjekur, makarona tipike, qebapë mishi dhe ëmbëlsira të shijshme. Për t’u njomur edhe me verërat e tyre, të cilat këtë vit fituan tre medalje në konkursin Decanter.
“Tradita e Beratit” në Berat
Qyteti i trashëgimisë së UNESCO-s, Berati, një nga destinacionet më të vizituara në Shqipëri, njihet për shtëpitë e tij tradicionale, shumë prej të cilave janë shndërruar në bujtina dhe restorante. Si “Tradita e Beratit” ku hani byrek, pite të shijshëm të mbushura me spinaq, mish ose djathë, sallata kopshti, ullinj, speca, duke admiruar pamjen.
“Alpeta Agroturizëm & Winery” në Roshnik
Pak km larg Beratit, Agroturizëm Alpeta është një agroturizëm dhe kantinë ku shërbehen perime nga kopshti, byrekë të shijshëm të mbushur me spinaq, gjizë, presh, mish dhie që jeton dhe rritet në shpatet e malit Tomorr, jufka, makarona të bëra me dorë dhe sipër me pulë fshati. Verërat dhe likeret janë ndër më të mirat në Shqipëri.
“Vila Përmet” në Përmet
Kjo vilë simpatike e fundit të shekullit të 19-të, e rinovuar deri në detaje, është vendi i përsosur për të shijuar më të mirat e gastronomisë së Përmetit. Restoranti në katin e parë u ofron miqve kuzhinë autentike e sezonale që respekton traditat, ku dallojnë perimet e kopshtit, mishi nga kafshët e rritura në zonë, sallami i bërë vetë si dhe glikotë, një përbërje me bazë frutash e mbrojtur nga Slow Food.
Taverna “Vasili” në Korçë
Është mbretëria e mishngrënësve: mishi i gatuar në konjak dhe gulash është i shijshëm, por menuja përfshin edhe mish të pjekur në skarë, salsiçe dhe qofte tradicionale. Mezet me speca të kuq dhe gjize, si dhe ëmbëlsirat e bëra vetë janë gjithashtu të shkëlqyera.
Restorant “Bujari” në Vlorë
Në menunë e Bujarit bie në sy paccheri me midhje, kallamar dhe domate qershi, Catalana me peshkuan e kapur gjate ditës dhe oktapod i pjekur në skarë. Mund të shijohen pothuajse natyrale, gjithçka gatuhet thjesht në pjata të nxehta dhe shërbehet me vaj ulliri, një shtrydhje limoni, kripë. Në gojë shija e Mesdheut.
Gambero Rosso eshte autoritet botëror për ushqimin, verën dhe udhëtimet. E themeluar në vitin 1986, revista njihet në të gjithë Italinë (por edhe ndërkombëtarisht) si ofruesi i njohurive më të përditësuara, të paanshme dhe eksperte për “saper vivere”, mënyrën italiane të jetesës.