Duke marrë shkas nga kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt, analisti Lorenc Vangjeli thotë se Prokuroria Speciale do të vazhdojë me të tjera arrestime.

Ai tha se SPAK ka pëmbyllur disa dosje dhe pritet që të ketë arrestime të tjera në javët dhe muajt në vijim.

Vangjeli la të nënkuptohej gjithashtu se pritet të ketë edhe arrestime nga krahu i opozitës.

“Do vazhdojnë edhe në gusht, nuk do të mbarojnë në shtator, në tetor, do vazhdojnë.

Ata do vazhdojnë të punojnë. Patën një lloj pushimi, nja 3-4 muaj përpara zgjedhjeve të majit, ndërkohë punonin dhe tani ato dosje kanë përfunduar.

Ndoshta brenda korrikut, shpresoj jo në javën e parë të gushtit, mund të ketë edhe atë gjënë të cilën shumëkush ka filluar ta flasë sot në Tiranë, duke nisur fillimisht nga kryeministri, që thotë ekuilibër, pse na godisni vetëm ne.

Një ish-kryeministër tha pse vetëm ne të majtët jemi të ligj? Duke harruar që kanë 10 vjet në pushtet dhe natyrisht këta do jenë shënjestra kryesore.

Sot është dita, në Shqipëri përmendet shpesh fjala histori, është një ditë që e bën Shqipërinë të gdhihet ndryshe nesër.

Sepse cinikët dhe skeptikët ata që kanë gjuajtur me gurë në dyert e Reformës në Drejtësi, sot rrëfeu që i ka dhuruar Shqipërisë pushtetin e munguar në 30 vjet, pushtetin gjyqësor i cili shërben ekuilibrin dhe kontrollin mes pushteteve”, tha ai.