Një grup kriminal që kryente vjedhje me armë dhe me dhunë është goditur nga policia në Himarë.

Ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë.

Gjithashtu, dyshohet se kanë kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare. Para vjedhjeve, pjesëtarët e grupit kriminal shkatërronin kamerat e sigurisë, që të mos identifikoheshin.

Policia është njoftuar për vjedhjen në dy vila në një kompleks banesash në pronësi të shtetasve A. D. dhe L. D., si dhe tentativën për vjedhje në një banesë në afërsi të kompleksit, në orët e para të mëngjesit të datës 22.07.2023, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer hetime të thelluara proaktive për zbardhjen e këtyre rasteve.
Pas sigurimit të provave u ndaluan shtetasit: S. K., 31 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë dhe me armë; S. G., 22 vjeç, banues në Durrës, me precedent të mëparshëm për vjedhje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 33 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë.