Tirana humbi 3-1 me Besiktas në Turqi, në ndeshjen e parë të turit të II kualifikues në Conference League. Pas ndeshjes trajneri bardheblu, Orges Shehi është shprehur i keqardhur për golin e tretë të pësuar, ndërsa shprehet se së ndeshjen e kthimit në “Air Albania” të enjten që vjen do tentojnë mrekullinë.
-A mund të merrte diçka më tepër Tirana sot?
E mira s’ka fund, por jemi të kënaqur me atë që dhamë edhe pse ka disa gjëra që mund t’i bënim më mirë. Ndryshuam vendosje për të mos i dhënë gjerësi kundërshtarit pasi aty po vuanim dhe mendoj se ishim më të ekuilibruar më pas. Jam i kënaqur deri diku.
-A është Besiktasi një skuadër e pakalueshme?
Ne jemi koshient për forcën e kundërshtarit. Pas një ndeshje të parë dhe një informacioni të saktë, kemi një ide më të qartë sesi të vendosemi dhe të interpretojmë ndeshjen e kthimit.
-Mund të evitohej goli i 3-të?
Pjesën e parë kundërshtari ishte në zotërim të topit, morëm 2 gola në tranzicion dhe goli i tretë po i njëjtë. Ishin të evitueshëm për mënyrën si erdhën. Goli i tretë ishte mundësia për ta evituar komplet.
-Ju vjen keq për rastin e humbur nga Abazaj?
Kristali është lojtar i shpejtë dhe ne futëm dy sulmues më pas me Florentin që kërkonte thellësinë. E bëri mirë. Futbolli ka raste të shënuara dhe të humbura, por patjetër do të ishte më mirë 2-1 sesa 3-1.
-Nëse do të përfundonte 2-1 do të kishte shpresa për mrekullinë?
Shpresa kemi edhe me 3-1, por 2-1 do të ishte më e madhe. Më vjen keq sesi u pësua goli në minutën e fundit.