Vllaznia luan sot në 20:45 në transfertë me Linfield, skuadrën e Irlandës së Veriut. Ndeshja e parë vlen për turin e I kualifikues në Conference League, me ekipin shkodran që dje pasdite zhvilloi edhe stërvitjen gjenerale në Belfast. Në prag të ndeshjes, për mediet foli edhe trajneri i Vllaznisë. Migen Memelli kërkon të debutojë me sukses në stolin kuqeblu, teksa për të duhet përqëndrim në fushë pasi ka një ekip me organikë të re nga merkato.

“Përpos emocioneve, ajo që vlerësojmë është përgatitja e madhe që ka bërë skuadra në këto 30 ditë. Djemtë kanë pasur një përkushtim të një niveli të lartë. E parë kjo në këndvështrimin tonë, besojmë se do të bëjmë një performancë shumë të mirë. Ajo që më lind të them është se djemtë kanë punuar shumë mirë dhe jemi këtu për të bërë gjërat e duhura që në fund të gjithçka të vlerësojmë dhe të kemi qartësinë në këtë 90 minutësh të parë”, tha trajneri.

Më pas Memelli u ndal edhe te rivali, duke thënë se e kanë studiuar dhe kërkojnë përkushtim në fushë.

“Rivali? Kundërshtarin e njohim, por duhet pasur parasysh që ndeshja e parë është një fillim i mirë për të shkuar pastaj te ndeshja e dytë. Kemi punuar shumë në terren, kundërshtari është i fortë siç e thashë, nuk dua të zbuloj më tepër. Ajo ç’ka kam parë te djemtë është përkushtimi i tyre dhe nisur nga ky fakt, besoj që çdo gjë do të shkoj mirë në fushën e lojës”, tregoi korçari.

Memelli foli edhe për njohjen e skuadrës, teksa miqësoret që ka zhvilluar kanë bërë që të njohë lojtarët. Trajneri debuton në stolin e Vllaznisë, teksa kujtojmë se u afrua vetëm disa javë më parë.

“Vllaznia? Miqësoret kanë mjaftuar me pjesën e njohjes së skuadrës me elementët që ka skuadra sot. Kemi një skuadër 70-80 përqind të re. Një skuadër tek e cila besojmë dhe elementët që janë afruar janë cilësor. Përpos kësaj besoj që djemtë do të bëjnë shumë mirë, ekipi është drejt konsolidimit dhe duke parë edhe miqësoret në fazë përgatitore, na jep besimin se gjërat do të shkojnë mirë”, tha mes të tjerash Memelli.