Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar këtë të hënë ndalimin e publikimit të dosjes së fundit të SPAK-ut ku u lëshuan 50 urdhër-arreste për të goditur 7 grupe kriminale, pas bisedave në aplikacionin “Sky Ecc”. Në bisedat e “kokave” të krimit në vend në aplikacionin “Sky Ecc” zbardheshin disa atentate dhe planet për të kryer vrasje të rivalëve të tyre.

Në njoftimin e GJKKO thuhet se urdhërimi i ndalimit të publikimit të dosjes është deri në përfundim të hetimeve paraprake, teksa kërkon mirëkuptimin e të gjithë gazetarëve që nuk mund të jepet një informacion më i detajuar nga ana e gjykatës lidhur me këtë çështje.

Njoftimi i plotë i GJKKO:

1. Gjykata e Posaҫme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në kuadër të procedimit penal Nr. 59 të vitit 2022, pasi shqyrtoi kërkesës e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin në mungesë të masave të sigurisë, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2023 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi ka disponuar lidhur me masat e sigurimit, ndër të tjera bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ka vendosur: ndalimin e publikimit të kërkesës së prokurorisë apo përmbajatjes së saj deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalimin tërësisht të publikimit të këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake.
2. Duke qenë se mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale sipas nenit 295/a paragrafi 3 i Kodit Penal nën titullin “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë gazetarëve që nuk mund të jepet një informacion më i detajuar nga ana e gjykatës lidhur me këtë çështje.