Kryetarin e PD-së të Rithemelimit, Sali Berisha e kanë vënë sërish në lojë duke i prezantuar sekretaren si ish-zëvendës ministre.

Këtë herë Berishën e kanë talluar duke i prezantuar shtetasen Lindita Elezi si një ish-zëvendësministre të qeverisë italiane gjatë qeverisë së mëparshme.

Berisha ka postuar një foto së bashku me të ku prezanton Elezin si ish-zëvendës ministre.

“Shqiptarët me garë të lirë, triumfojnë kudo!

Sot pata kënaqësinë të prisja në takim Znj. Lindita Elezi, ish zëvendës ministre, si përfaqësuese e Lega Nord në qeverinë e mëparshme italiane dhe tani e zgjedhur si e para shqiptare anëtare e Parlamentit Rajonal të Marke, së bashku me Znj. Merita Kaca Bushi.

Duke përgëzuar zonjën Elezi shtova se shembulli i saj personal frymëzon shqiptarët dhe dëshmon më së miri sesi gara elektorale, aty ku është e lirë dhe e drejtë, i mundëson çdokujt të aksesojë çdo funksion demokratik, pavarësisht vendlindjes apo origjinës.

Në këtë drejtim, mjerisht, Edi Rama e largon gjithmonë e më shumë Shqipërinë tonë nga kombet e lira demokratike të perëndimit, ashtu si dhe nga Italia fqinje ku krimi i organizuar luftohet nga pushteti, ndërkohë që këtu, ai është bërë palë me të duke e kthyer vendin tonë, defakto në të parin narko-shtet në Europë. Nuk ka më asnjë dyshim se me Edi Ramën, Shqipëria largohet çdo ditë nga Europa.

Takimi ishte i hapur dhe kaloi në mirëkuptim të plotë”, shkruan ai.

Ndërkohë sipas verifikimeve në internet në skedën e saj në këshillin e Marche apo edhe në postime mediatike ajo del se ka punuar si sekretare në Presidencën e Këshillit të Ministrave.

Duket se Berishën po e “tallin” stafi i tij i ngushtë duke mos i verifikuar personat që ai prezanton në publik dhe del me to madje në disa raste ai ka bërë edhe denoncime ndërkohë që kanë rezultuar edhe vënie në lojë.

Kujtojmë “denoncimin” e kitaristit Joe Walsh si Erion Veliajn në Iran për marrjen e inceneratorit apo edhe vënien e emrit “Dan Hutra” një rruge në Kamzë ku rezultoi e gjitha një vënie në lojë. /Hashtag.al/