Nëse shkon në Libohovë, patjetër duhet të shkosh te Sedati. Të vizitosh oazën që ka krijuar Sedati, të shijosh ushqimet që kanë lënë pa mend të gjithë ata që i kanë provuar.

Mos kërkoni luks kur shkoni te Sedati, kërkoni kukurecin me të brendshmet e qengjit të pjekur në hell, mishin e qengjit dhe byrekun me lakra, sarmanë me lule kungulli, qifqitë e Libohovës.

Kjo është tradita, kjo është Libohova e Sedatit që ka 40 vjet në kuzhinë e që nuk i mërzitet kurrë sepse çdo gjë e bën me dashuri dhe krenari të madhe kur sheh kënaqësinë në sytë e njerëzve që i shijojnë gatimet e tij.

“Unë kam gati 40 vjet që kam mbaruar shkollën e kuzhinës, në Tiranë. Deri në kohën e tranzicionit punoja te hotel “Turizmi” që ishte në qendër të Libohovës. Pastaj u largova kur ndryshoi sistemi. Unë Libohovën nuk e zëvendësoj me asnjë vend tjetër. Kam pasur kërkesa plot në Tiranë, Gjirokastër, por nuk më bën zemra të iki nga Libohova. Sepse ky vend, kjo punë nuk më mërzitet asnjëherë se e bëj me dashuri. Jam krenar për këtë punë që bëj dhe shpërblimi më i madh që marr është kënaqësia e njerëzve. A ka vështirësi? Po ka shumë sepse duhet të ngrihemi në orën 4 të mëngjesit për të mbledhur këto lulet e kungullit sepse prishen gjatë ditës.

Pastaj mbledh vezët, qumështin, çdo gjë që na duhet nga baçja sepse edhe shtëpia jonë është kthyer në fermë.

Vijmë të parët në lokal, gatuajmë dhe ikim kur largohet klienti i fundit në mes të natës. Se kjo është jeta, punë. Unë e di që duket e vështirë, por mua më duhen edhe shumë të tjerë në staf për të vazhduar punën sepse aktualisht jemi vetëm ne të familjes dhe dy punëtorë që punojnë prej 15 vjetësh.”, thotë Sedati për gazetaren Rudina Xhunga.

Do habiteni nga gjithçka që do shihni dhe prekni tek oaza e Sedatit në Libohovë. Por kjo oazë nuk do ishte krijuar nëse Sedati nuk do kthehej nga Greqia ku shkoi për të punuar me mendimin se atje i merr lekët me thasë. Fatmirësisht ai iu kthye Libohovës, të cilës edhe pse për një vit, i la një boshllëk që mezi u mbush. Ndaj dhe thirrja e Sedatit për të rinjtë është të kthehen në Atdhe, të punojnë aty ku kanë vendin dhe mos kthehen në robër në një shtet të huaj.

“Jashtë shtetit ika vetëm një vit. Dhe kur e kujtoj sot bëhem pishman që kam ikur. Nëse do isha këtu atë vit do isha 100 herë më mirë. Një vit që mungova më prishi shumë punë në karrierën time si kuzhinier. I mungova Libohovës. Shkova në Greqi me mendimin se atje bëhen lekët me thasë. Por nuk ndodhi ashtu. Aty punoja gjithë ditën dhe merrja 5 mijë dhrami. Por nuk më linin të punoja në profesionin tim si kuzhinier. Më thoshin vetëm mund të pjekësh. Unë e di sa keq ndihesha. Ndaj u ktheva në 1996-ën. Mora një lokal me qira në Dropull. Pastaj në ‘97-ën e prishën lokalin dhe une shkova më tutje. Atëherë kishte shumë punë. Punoja 22 orë pa pushim dhe qetësohesha vetem dy orë. Me paratë që bëra ndërtova lokalin tim. Dhe në vitin 2000 nisa punën këtu në Libohovë. Ndërkohë që drejtoja lokalin, shkova punova edhe 10 vjet fundjavave në Bunes sepse më duheshin para që ta ktheja në oazën që shihni sot.”

Pastaj Sedati nuk iku më nga Libohova. Nuk u largua më kurrë nga kuzhina që e ngriti vetë me shumë sakrifica, të cilat sot shpërblehen me kënaqësinë që merr nga njerëzit që i shkojnë dhe shijojnë oazën e tij.

Historia e Sedatit është historia e Libohovës, është historia e çdo njeriu që mendon se po iku qoftë edhe një ditë, jo më një vit, mungesa e tij lë një hapësirë që mezi mbushet. Por Sedati e mbushi me sarmatë me lule kungulli, me qifqitë, kukurecin dhe mishin në hell, byrekun me lakra. Kjo është oaza e Libohovës, oaza e Gjirokastrës, te Sedati dhe s’ka tjetër./K.C/dritare.net