Pasi Konferenca e Kryetarëve i rrëzoi kërkesat e PD për interpelancë dhe për mocion me debat urgjente me kryeministrin Edi Rama për inceneratorët, nënkryetari i grupit parlamentar të PS Toni Gogu thotë se këto çështje nuk janë urgjente.
Në një deklaratë për mediat, Gogu u shpreh se për çështjen e inceneratorëve, Kuvendi e ka ushtruar detyrën e vetë kur bëri komisionet hetimore parlamentare dhe kur aprovoi kërkesën e SPAK për Arben Ahmetajn së fundmi.
“Kryetarja e Kuvendit e nxitur nga një kërkesë e pakicës së pakicës për një mocion me debat ku ishte shtuar dhe fjala urgjente gjë që rregullorja nuk njeh mocion me debat urgjent, megjithatë kryetarja e thirri Konferencën e Kryetarëve dhe i kërkoi mendim që ta bashkonte dhe me një kërkesë tjetër për interpelancë po urgjente, që kërkonin që neve të mblidheshim në seancën e ardhshme për çështjen e inceneratorëve.
Nuk dhamë pëlqimin tonë që këto çështje urgjente duhet të hyjnë në seancën e menjëhershme. Në sesionin që do mblidhet kuvendi ditën e enjtet do të vendosë Kuvendi, vendos vetëm Kuvendi nëse do përfshihen në rendin e ditës ose jo.
Besojmë fort që në rolin kushtetues Kuvendi e ka ushtruar kontrollin e vetë parlamentar, tani është momenti i drejtësisë. Çdo veprim tjetër këto urgjencat janë patjetër pensionet, studentët, patjetër mjekësia, dhe ne vendosëm që në seancën e ardhshme të Parlamentit, Kuvendi të vendosë se si të procedojë në atë seancë”.
Çështjen e inceneratorëve, theksoi Gogu, tashmë po e heton drejtësia dhe sipas tij kërkesa e opozitës për interpelancë dhe mocion urgjent nuk ka përmbajtje.
“Urgjenca u çmua kur ishte urgjente. Sot pas 3 vjetësh ajo nuk është më një çështje urgjente e cila duhet të përfshihet në seancën pasardhëse. Ato janë çështje që tashmë po i heton drejtësia. Përmbajtja që ajo kërkesë ka nuk ka brenda asnjë urgjencë të cilën Kuvendi nuk e ka ushtruar në momentin kur ishte urgjencë.
Ne nuk mendojmë që ato janë çështje urgjente për shkak se nuk kanë përmbajtje. Të bësh debat dhe të flasësh kur drejtësia e ka marrë çështjen në dorë, kam përshtypjen që do t’i prishësh punë asaj”, theksoi deputeti i PS Toni Gogu.