Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nisur procedurat për blerjen e energjisë elektrike duke iu referuar dy ankandeve të mbajtura në periudhën 15-23 korrik.
Shuma totale e blerë arrin në 50 mijë e 800 MW, për të cilat janë shpenzuar 5 milionë e 988 mijë e 570 euro. Vendimi ka ardhur pas nisjes së periudhës së thatë për sistemin elektroenergjetik shqiptar, duke lënë pas një sezon të mbarë që zgjati më shumë se tetë muaj.
Shqipëria ka qenë një prodhues i tepërt i energjisë elektrike që nga nëntori, kur pati një sasi të madhe reshjesh, duke e ngritur nivelin e ujit në hidrocentralin e Fierzës në kuotat më të larta historike. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e parë të vitit 2023 u rrit me 38.3 për qind. Me këtë shifër, arriti vlerën 2.787 GWh nga 2.016 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2022.
Sipas raportit “Bilanci i energjisë elektrike” të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 57.9 për qind, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 41.5 për qind.
Ndërsa prodhuesit fotovoltaikë kanë ndikuar në masën 0.6 për qind të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Referuar raportit, importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e parë të vitit 2023, arriti vlerën 246 GWh nga 715 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një ulje me 2.9 herë. Ndërsa, eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 904 GWh nga 373 GWh, duke shënuar një rritje me 2.4 herë. Humbjet në rrjet arritën vlerën 583 GWh nga 617 GWh duke shënuar kështu një rënie me 5,5 për qind.
Humbjet në transmetim kanë rënë me 35,6 për qind ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 1,4 për qind. Po ashtu, humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 0,3 për qind, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 3,5 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021. Bilanci tregon për një rritje të përdorimit të energjisë nga familjarët në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërkohë që e njëjta tendencë edhe pse më e lehtë vihet re tek konsumatorët biznes.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2022, u rrit me 5,7 për qind duke arritur vlerën 1.775 GWh nga 1.680 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2021.
Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët familjarë, ku kemi një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 8,1 për qind, përkundrejt rritjes me 2,9 për qind të energjisë së konsumuar nga konsumatorët jo familjarë.