Hakerët në Kinë kanë fituar akses në llogaritë e email-it të rreth 25 organizatave duke përfshirë edhe agjencitë qeveritare, deklaroi Microsoft. Microsoft nuk ka dhënë detaje se ku janë vendosur agjencitë qeveritare.
Sipas raporteve, Sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo, ishte në mesin e individëve të prekur nga hakerët.
“Microsoft njoftoi Departamentin për një kompromis me sistemin Office 365 të Microsoft dhe Departamenti ndërmori veprime të menjëhershme për t’u përgjigjur. Ne po monitorojmë sistemet tona dhe do të përgjigjemi menjëherë nëse zbulohet ndonjë aktivitet i mëtejshëm”, tha një zëdhënës i Departamentit të Tregtisë së SHBA për BBC.
Mediat amerikane raportuan se Departamenti i Shtetit ishte gjithashtu në shënjestër të hakerëve. Microsoft tha se grupi i hakerëve kishte akses në llogaritë e emailit duke falsifikuar të dhënat e identifikimit të personave.
“Storm-0558 synon kryesisht agjencitë qeveritare në Evropën Perëndimore dhe fokusohet në spiunazh, vjedhje të të dhënave dhe akses në kredencialet”, deklaroi Microsoft.
Kompania tha se hetimet e saj zbuluan se shkeljet filluan në mesin e muajit maj dhe se tashmë ata e kanë “zbutur sulmin dhe se kanë kontaktuar klientët e prekur”.
Microsoft dhe agjencitë perëndimore të spiunazhit thanë se hakerat kinezë kishin përdorur sistemin ‘Malware’ për të sulmuar infrastrukturën kritike në bazat ushtarake amerikane në Guam. Ekspertët thanë se ishte një nga fushatat më të mëdha të spiunazhit kibernetik kundër SHBA-së. Por, Pekini e quajti raportin e Microsoft “joprofesional” dhe “dezinformim”.