Komisioni për Ekonominë dhe Financat nisi sot diskutimin për projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosaçaj bëri të ditur se projektligji ka për qëllim rregullimin dhe garantimin e procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së kultivimit, përpunimit, prodhimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së kanabisit, të nënprodukteve të saj dhe produkteve përfundimtare, për qëllime mjekësore dhe industriale.

“Objekti i këtij projektligji është përcaktimi i rregullave për kultivimin, prodhimin dhe qarkullimin e kontrolluar të bimës së kanabisit, nënprodukteve të saj dhe produkteve përfundimtare për përdorim mjekësor dhe industrial”, theksoi ajo.

Më tej, Ramosaçaj shtoi se kultivimi i kanabisit rrit aktivitetin ekonomik në Shqipëri, duke lejuar, përmes rregullave të posaçme, veprimtarinë ekonomike të licencuar për kultivimin e bimës së kanabisit mjekësor dhe industrial, të cilat do të përdoren për eksport. Zv/ministrja tha se përmes këtij projektligji, Shqipëria ndjek trendet në rritje të ekonomive të zhvilluara, të cilat lejojnë përdorimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Ajo theksoi se gjatë dekadës së fundit, përdorimi mjekësor i kanabisit dhe derivateve të tij është legalizuar në mbi 35 shtete, ku 22 shtete janë europiane.

Projektligji, vijoi më tej zv/ministrja, ka përcaktuar rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve, duke u kujdesur të krijojë kuadrin ligjor për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të kanabisit, në kuadër të së cilës do të ngrihet Komisioni i Licencave si dhe Njësia e Specializuar e Mbikëqyrjes, kontrollit dhe inspektimit të kultivimit, prodhimit dhe qarkullimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Projektligji parashikon se licenca mund të jepet për një ose disa veprimtari, për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, me kërkesë për secilin nga aktivitetet dhe bazuar në procedurën përzgjedhëse të organizuar nga Agjencia.

Një detyrim i rëndësishëm që parashikohet nëpërmjet këtij projektligji është dhe ai për të gjitha subjektet e licencuara dhe të lejuara që të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të subjekteve të licencuara dhe të lejuara.

“Regjistri ngrihet në formën e bazës së të dhënave shtetërore dhe administrohet nga Agjencia dhe përmban të gjithë informacionin dhe të dhënat e subjekteve të pajisura me licencë, leje dhe autorizim lidhur më të gjitha fazat e kultivimit të kanabisit, duke filluar nga momenti i dhënies së licencës, lejes dhe autorizimit dhe deri te sekuestrimi apo asgjësimi i bimëve apo nënprodukteve të saj”, u shpreh zv/ministrja.

Regjistri do të ketë mundësi ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave të cilat i shërbejnë procesit të dhënies së licencave, lejeve dhe autorizimeve, si dhe mbikëqyrjes së procesit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe për qëllime industriale.

“Në këtë regjistër kanë akses dhe strukturat përkatëse të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, për financat, rendin e sigurinë publike dhe bujqësinë”, shtoi zv/ministrja.

Për sa i takon kushteve të licencimit, në projektligj parashikohet se çdo person juridik, që kërkon të pajiset me licencë, duhet të përmbushë kushtet për çdo aktivitet të kërkuar për licencim, konkretisht: të ketë eksperiencë 3-vjeçare në të paktën 3 nga aktivitetet kryesore, si prodhimi, kultivimi dhe qarkullimi i bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe subjekti ose një aksionar i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të paktën 5 vite, zotërues i praktikave të mira të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat, për të paktën 3 vite dhe të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100 000 000 (njëqind milionë) lekë.

Licenca do të jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e pa transferueshme dhe e patjetërsueshme dhe kur në të mund të jetë përcaktuar se aktivitete të caktuara kryhen tërësisht apo pjesërisht nga subjekte të tjera, këto subjekte do të verifikohen në lidhje me plotësimin e kushtit të pastërtisë së figurës.

Me anë të këtij projektligji propozohen edhe dispozita të cilat rregullojnë pajisjen me leje për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e kanabisit industrial, të cilat trajtohen në kreun IV, të këtij ligji.

Leja për ushtrimin e aktivitetit të prodhimit të kanabisit për qëllime industriale lejon aktivitetin e importit të farës ose fidanit ose riprodhimit të tyre për qëllime të përdorimit si fara/fidanë, kultivimit, prodhimit dhe përpunimit, transportit si dhe eksportit të nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të kanabisit për qëllime industriale. Leja jepet për një afat 5-vjeçar me të drejtë rinovimi, për sipërfaqe jo më të vogël se 1 hektar.

Sipërfaqja maksimale e lejuar për tu kultivuar për kanabisit mjekësor në të gjithë vendin është përcaktuar 200 hektar.

Sipas saj, ky projektligj është pasojë edhe e proceseve të gjithëpërfshirjes në një këshillim kombëtar, ku 61 % e personave janë shprehur pro këtij ligji.