Me flukset e larta turistike, në bashkitë bregdetare Durrës e Kavajë po punohet 24 orë nga operatorët e bashkive dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për pastrimin e mbetjeve, dezinfektimin e koshave dhe larjen e rrugëve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro shoqëruar nga kryetarët e bashkive Durrës e Kavajë Emirjana Sako e Fisnik Qosja si dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Ledion Lako inspektoi nga afër punën në terren, nga ku dha porosi për bizneset që të mos përdorin koshat familjarë për hedhjen e mbetjeve, por të presin orarin kur operatori i pastrimit të shkojë t’i mbledhë.
“Bizneset do të duhet ta gjejnë zgjidhjen që për një pjesë të ditës, t’i mbajnë një pjesë të mbetjeve që ato gjenerojnë. Parimi i Ligjit për mbetjet është: kush ndot paguan”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Nga ky inspektim, ministrja Kumbaro paralajmëroi penalitete deri në prishjen e kontratave për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë si stacion plazhi në rast të mosrespektimit të kushteve që parashikon kontrata e lidhur me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
“Kemi nisur me prishjet e kontratave. Kjo është një masë që po e zbatojmë sivjet, sepse e kemi futur në Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe do të jemi të detyruar ta aplikojmë sa herë që nuk ka respektim të kriterit që bëhet i detyrueshëm, siç është prezenca e vrojtuesit”, vazhdoi ministrja Kumbaro.
Po ashtu, ministrja Kumbaro bëri të qartë se operatorët turistikë që kryejnë aktivitete me mjete lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, duhet të jenë patjetër të certifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për të ushtruar këto veprimtari.
“Në momentin që ne dhe Policia Kufitare filloi të ndalonte qarkullimin e atyre mjeteve të operatorëve të papajisur me certifikatë, kemi një lumë kërkesash. Ne vazhdojmë t’i presim, plotësimi i dokumenteve është një kusht i panegociueshëm. Çdo aktivitet është i mundur, por duke respektuar rregullat dhe kjo vlen për detin, vlen për liqenin, vlen për lumin”, përfundoi ministrja.
Në përfundim të takimit, nga Kavaja, ministrja Kumbaro kërkoi të mos lejohen bizneset që ushtrojnë aktivitetin e stacionit të plazhit të zaptojnë hapësira të cilat dalin jashtë koordinatave të parashikuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe theksoi sërish domosdoshmërinë e prezencës së vrojtuesve në stacionet e plazhit.