Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, priti në një takim Gersi Trokën, kampionin botëror të notit për Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale në Berlin 2023, si dhe Adi Sulën, i cili fitoi 2 medalje argjendi dhe 2 medalje bronzi në këto lojëra.
Ministrja në një postim në rrjetet sociale u shpreh se në datën 2 tetor, këtë vit Gersi do të fillojë studimet e larta në Universitetin e Sporteve të Tiranës, dhe këtë vit shkollor ai do të jetë edhe deputet nderi i Parlamentit të Nxënësve në legjislaturën e tretë 2023 – 2025.
“Mbështetjen tonë do ta ketë edhe peshëngritësi Adi Sula, i cili fitoi 2 medalje argjendi dhe 2 medalje bronzi në Lojërat Olimpike Speciale, e po ashtu edhe të gjithë nxënësit apo studentët me aftësi ndryshe, sepse tashmë kemi nisur punën për përfshirjen e “Special Olympics” dhe “Paralympics” në ligjin “Për sportin””, tha Kushi.